Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës çeli sot garën ndërkombëtare për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit, e cila do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi.
Vlera totale e projektit kap shifrën e 370 milionë eurove, e gjysma e këtij financimi vjen në formën e grantit nga BE.
“Është një linjë hekurudhore prej 120 kilometrash e cila fillon nga Vora dhe përfundon në Han të Hotit. Parashikohet që të ndërtohen apo të rikonstruktohen 12 stacione. Kjo hekurudhë do të ketë 12 ura dhe ka dhe një tunel të vendosur në zonën e Lezhës, një tunel me një gjatësi 320 metra. Nga ana tjetër, shpejtësia e kësaj linje hekurudhore parashikohet që të jetë 120 kilometra në orë. Gjithashtu ka një parashikim, në studimin e fizibilitetit, i cili shpjegon se është një rrugë hekurudhore, një rrugë e hekurt e cila do të përshkohet për 2 orë mesatarisht dhe nga ana tjetër do të ketë një fluks vjetor të 2.3 milionë pasagjerëve ose 900 mijë ton ngarkesa mallrash në vit”, tha Balluku.
Ministrja tha gjithashtu se po vijojnë me ritme të shpejta edhe punimet në linjën hekurudhore Durrës-Tiranë-Aeroporti i Rinasit ku së shpejti nisin punimet për ndërtimin e 10 stacioneve të reja që do të shtrihen në të gjithë gjatësinë e kësaj linje.
“Krahas linjës Vorë-Hani i Hotit është siguruar financim prej 120 milionë eurosh edhe për linjën Durrës-Rrogozhinë me gjatësi 34 kilometra, sërish me të njëjtin instrument, mbështetur nga Bashkimi Europian, nga BERZH dhe nga BEI. Kemi gati projektin pre eleminar të linjës Rrogozhinë-Pogradec, duke përmbyllur kështu Korridorin e VIII, si një nga korridoret më strategjikë që shpeshherë ne e përmendim, pasi nuk është thjesht një korridor i transportit rrugor apo atij hekurudhor, por është një transport energjetik gjithashtu dhe nga ana tjetër është një nga korridoret më të rëndësishme strategjike që do të lidhë detin Mesdhe me Detin e Zi”, tha Balluku.
Edhe ambasadori i BE në Tiranë theksoi rëndësinë e projekteve të tilla, që lidhin popujt dhe afrojnë më shumë Shqipërinë me BE.
“Është shumë e rëndësishme që këto dy vende që janë në bregdetin e Adriatikut dhe janë dhe fqinje të shikojnë edhe mënyrën se si mund të jene me te lidhura me njëra tjetrën dhe pastaj të jene tërësisht gati për tju bashkuar be. ky Projekt do të sjellë përfitime jo vetëm për qytetarët e Shqipërisë por edhe ata të rajonit lidhja e popujve është në fakt në thelb të gjithë BE dhe kështu do bëjmë lidhjen e tyre me atë të Europës me anë të hekurudhës. unë kam udhëtuar në rajon për here te parë në 95 dhe linjat ajrore janë përmirësuar edhe ato rrugore, por duhet bere me shumë që kryeqytetet të jenë më të lidhura . kjo nisme e cila na mbledh është pjesë e strategjisë evropiane për të zgjeruar edhe më tej rrjetin evropian të transportit dhe kjo linjë është një hap jetik për integrimin rajonal. Presim edhe punën për korridorin 8”, tha Gonzato.
Rritja ekonomike, përmirësimi i cilësisë së jetës për popullatën në zonën e shërbimit, ulja e kostove për transportin për qytetarët dhe mallrat, janë vetëm disa nga përfitimet kryesore të këtij projekti./vizionplus.tv