Bujar Nishani, Arben Imami, Edit Harxhi, Abern Ristani, Bislim Ahmetaj, Edvin Kulluri dhe Ibsen Elezi u bënë thirrje të gjithë demokratëve të bëhen bashkë me këtë grupim për ta ringritur Partinë Demokratike dhe paralajmëruan se do të bëjnë gjithçka për largimin e Bashës.
Të rreshtuar në lëvizjen që e kanë pagëzuar si grupimi “Për PD-në”, kundërshtarët e Lulzim Bashës i kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme pas humbjes ne zgjedhjet e 25 Prillit.
E ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Edith Harxhi, anëtare e PD-së, pjesë e “Grupimi për PD-në” u shpreh se sipas saj Basha nuk është një lider. Harxhi shton se ajo çfarë është më e rëndësishmja është ndjesa për humbjen çka Basha nuk e ka kërkuar ende.
“Ajo çfarë mendoj unë sot, është që z.Basha nuk ka kërkuar një ndjesë publike. Ndjesa është shumë e rëndësishme për këtë popull, sepse pikërisht për këtë arsye ne tërhiqemi tek akti moral.Nuk e besoj se ka një politikan që nuk ka arritur të ngrihet në nivelin e një lideri ende, që nuk arrin dot të mbajë premtime të tilla, në drejtime publike.”