Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se Tirana e ka lënë pas pandeminë duke dalë më e bashkuar.
Kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se ky është edhe një moment për të festuar hapjen pas pandemisë.
“Shpresoj shumë që sot të kemi një moment për të festuar. Më vjen mirë që sapo Tirana u hap, kemi aktivitetet e para, vetëm sot kishte tre aktivitete universitare. Ne të gjithë dëgjojmë ata që ankohen për një restorant, për një bar që është legjitime dhe oraret do të zgjaten, por fakti që eventet e para fillojnë me universitetet më bën shpresëplotë që nga pandemia kemi dalë pak më të mirë, më të bashkuar dhe ndoshta dhe pak më të mençur”, theksoi Veliaj.
Ai theksoi se pandemia dhe tërmetet treguan edhe njëherë rëndësinë e dijes.
“Tërmeti apo pandemia, na tregoi që ca gjëra fatkeqësitë t’i marrin, siç mund të jenë rraqet. Ndërkohë që atë që ti ke në kokë, dijen, nuk ta merr askush, nuk ta vjedh askush, nuk ta merr pandemia, nuk ta merr tërmeti, nuk ta merr shiu, nuk ta merr përmbytja. Edhe pyetja që ne duhet t’i bëjmë vetes është: jemi kombi që kemi apo kombi që dimë? Nuk është të pasurit që e bën një komb përpara. Çekia nuk ka shumë, por ka prodhuar sondën, ka prodhuar industri, ka prodhuar teknologji , sot është një nga vendet ku njerëzit duan të jetojnë. Edhe ajo që më vjen mirë, që ky vizion, ka qenë edhe vizioni i qeverisë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkinë nënvizoi se vëmendja e Shqipërisë do të jetë pikërisht tek rritja e dijes.
“Kemi pasur 3-4 udhëtime me kryeministrin, edhe në Turqi, edhe në Hungari, edhe në Bullgari. Ajo që më pëlqeu është që kryeministri kishte insistuar që në çdo takim, përveç qeverisë do takonim rektorë. Tani duhet të fokusohemi të dija. Kombet që dijnë kthehen edhe në kombe që kanë”, tha Veliaj.