Vetëm të martën në mbledhjen e grupit paralementar të socialistëve do të mësohet se cili do të jetë qëndrimi i mazhorancës qeverisëse për Ornaldo Rakipin.
Nga e hëna, kur departamenti amerikan i thesarit e futit të atin e tij, ish deputetin e PDIU-s, Aqif Rakipin në listën e zezë të sanksioneve financiare, Partia Socialiste nuk është shprehur zyrtarisht.
Pas mbledhjes së të martës, socialistët pritet të dalin me një qëndrim, nëse deputeti i qarkut të Tiranës, 27 vjeçari Ornaldo Rakipi do të largohet nga grupi parlamentar i socialistëve apo mund t’i kërkohet ose jo lënia e mandatit të deputetit.
Vetë ai është shprehur se nëse do të jetë e nevojshme apo nëse partia e tij do t’ia kërkojë, do ta lë karrigen e deputetit.
ORNALDO RAKIPI
DEPUTET I PS
AdvertisementPo jam super i gatshëm, babai im është super i pastër, akuzohet për diçka skandaloze.
Ornaldo Rakipi u rendit i 30 në listen e kandidatëve për deputet në qarkun e Tiranës. Ai arriti të thyejë herësin prej mbi 10 mijë votash duke fituar karrigen e deputetit.
Në rast të largimit të një tjetër socialisti nga lista fituese, mandatin e deputetit e merr Dallëndyshe Bici, që detyrë të fundit pati si ish zëvendës ministre e mbrojtjes.
Fati i Ornaldo Rakipit nuk do të jetë i vetmi që do të diskutohet në mbledhjen e socialistëve por edhe ai i presidentit të ri.
Deputetëve i është kërkuar që të propozojnë tre kandidatura për pasuesin e Ilir Metës dhe në ditët në vazhdim ato pritet t’i dorëzohen kryetarit të grupit parlamentar të socialistëve, Taulant Balla.
Deri në 24 maj, kur do të jetë shpallur edhe kalendari i veçantë për zgjedhjen e presidentit të ri, mazhoranca qeverisëse është angazhuar për zyrtarizimin e kandidaturës apo kandidaturave.
Mundësia e një presidenti konsensual duket e largët, për aq kohë sa Partia Demokratike është e përçarë mes mbështetësve të Sali Berishës dhe të Lulzim Bashës.
Në deklaratat e tij, kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë se socialistët i zotërojnë votat për ta zgjedhur të vetëm presidentin dhe se bashkëpunimi me Komisionin e Rithemelimit të Sali Berishës është një mundësi që nuk ekziston.