Më e dhunshme, më e shumëllojshme dhe më konkurruese: këto janë tiparet kryesore të trafikut të kokainës në Europë. Europol dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimet (UNODC) publikuan këtë të martë raportin për zhvillimet e reja në tregun e kokainës, i cili paraqet një rrezik për qartë për Europën dhe sigurinë botërore. Raporti u publikua si pjesë e programit CrimJust, që synon forcimin e bashkëpunimit të drejtësisë kundër rrugëve të trafikut të drogës brenda kornizave të punës të një programi kundër trafiqeve në Bashkimin Europian.
Fragmentarizimi i tablosë së krimit në vendet që konsiderohen burime të drogave ka krijuar mundësi të reja për rrjetet kriminale europiane që të marrin furnizim direkt të kokainës, duke hequr nga kjo histori ndërmjetësit. Kjo konkurrencë në treg ka sjellë rritjen e furnizimit të kokainës dhe për pasojë edhe më shumë dhunë.
Monopolet e vendosura më parë nga furnizuesit e kokainës në tregjet europiane janë sfiduar nga këto rrjete të reja trafiku. Për shembull, rrjetet kriminale në Ballkanin Perëndimor kanë vendosur kontakte direkte me prodhues të drogave dhe kanë siguruar një vend të rëndësishëm në furnizimin me shumicë të kokainës.
Raporti i Europol dhe UNODC thekson rëndësinë e ndërhyrjes në burim ndërkohë që tregu varet shumë nga zinxhiri i furnizimit. Forcimi i bashkëpunimit dhe rritja e mëtejshme e shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve ligjore do të rrisë eficencën e hetimeve dhe zbulimin e dërgesave. Raporti thekson rëndësinë e hetimeve të pastrimit të parave për të gjurmuar përfitimet e paligjshme dhe më pas konfiskimin e aseteve kriminale që lidhen me aktivitetet kriminale. Këto hetime financiare janë në qendër të luftës kundër trafikut të kokainës pasi i ndërpresin aktiviteteve kriminale pasurimin me para.
Drejtuesja e Departamentit Operacional dhe Qendrës së Analizës në Europol tha se, “Trafikimi i kokainës është një nga shqetësimet kryesore të sigurisë që po përballet Europa në këto momente. Afërsisht 40% e grupeve kriminale aktive në Europë janë të përfshira në trafikun e drogës dhe në gjenerimin e përfitimeve multi-miliarda Eurosh. Kuptimi sa më mirë i këtyre sfidave me të cilat përballemi na ndihmojnë që të luftojmë më me efektivitet dhunën që rrjetet e trafikimit të kokainës kërcënojnë komunitetet tona”.
Drejtorja e Seksionit të Kërkimeve për Drogën në UNODC, Chloé Carpentier,theksoi se “dinamikat aktuale të shumëllojshmërisë dhe përhapjes me shpejtësi të kanaleve të furnizimit të kokainës, aktorëve kriminalë dhe modalitetet do të vazhdojnë nëse lihen pa u kontrolluar”.