Greqia vazhdon të shprehë shqetësimin e saj për kryetarin e zgjedhur të bashkisë Himarë, Fredi Beleri, i cili nuk ka marrë ende detyrën, pasi ndodhet në burg me akuzën e blerjes së votave. Ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi, ka shfrytëzuar një festival me këngë e valle greke në Finiq, për të kërkuar lirimin e Belerit.
KONSTANTINA KAMITSI
AMBASADORE E GREQISE NE TIRANE
Advertisement“Shpresoj se drejtësia do të bëjë punën e saj duke zbatuar parimet e shtetit të së drejtës dhe veçanërisht prezumimit të pafajësisë dhe shumë shpejt Fredi Beleri do betohet dhe do të marri përsipër detyrat e tij të reja në drejtimin e bashkisë Himarë”
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Beleri, u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale, me akuzën e blerjes së votave, por në 14 maj ai fitoi betejën përballë kandidatit të Partisë Socialiste, Jorgo Goro.
Për shkak se gjykata ka vendosur si masë sigurie qëndrimin në burg, Fredi Beleri nuk ka mundur të bëjë betimin për të marrë detyrën si kryetar i bashkisë Himarë.
Në mbrojtje të Fredi Belerit kanë reaguar shpesh Kryeministri i Greqisë e ministri i Jashtëm grek. Dhe pak ditë më parë, Greqia arriti të vendosë në rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë dy nene, ku kërkohet lirimi i menjëhershëm i Fredi Belerit.