Qeveria greke në vijim të masave të marra mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë Covid-19 ka vendosur të shtyjë përsëri afatin e mbylljes së kufijve me Shqipërinë deri në 22 mars.
Një gjë e tillë është bërë me dije nga burime zyrtare pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Emigracionit. Ndërkohë vijojnë të jenë të njëjta masat e marra që prej muajit dhjetor ku sipas të cilave ndalohet dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nga kjo pikë kalimi ndërsa dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë është e lejuar nga ora 6:00 deri në orën 22:00 vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë si kamionët e mallrave.
Mjetet si autobusa, taksi apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve nuk lejohet të kalojnë. Nga ana tjetër vijon të jetë i ulët numri i shtetasve të cilët kanë hyrë nga Greqia drejt Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës ku vetëm gjatë 3 ditëve të fundit kanë hyrë 619 shtetas.