Mali i Zi është cilësuar si vendi më pro-Rus, nga të gjithë vendet e tjera anëtare të NATO-s.
Në këtë përfundim ka dalë Forumi për Sigurinë Globale GLOBSEC, që merret me politikën e jashtme dhe sigurinë, pas një studimi mbi ndikimin e Rusisë në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore si dhe Ballkanin Perëndimor.
Rezultatet e këtij raporti bazohen në sondazhet e opinionit publik. Të anketuar ishin edhe qytetarë nga Bullgaria, Hungaria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia e Rumania.
Sipas raportit, shumica e qytetarëve malazezë besojnë se Rusia është një vend vëllazëror, dhe kundërshtojnë retorikat kundrejt saj.
Sipas gjetjeve të GLOBSEC, mbështetja e Malit të Zi për Perëndimin është 35 %, shifër kjo më e lartë duke e krahasuar me vendet e tjera të mbuluara nga sondazhi.
Ndërkohë që vendet e tjera, të marra sëbashku, janë vetëm 25 % të orientuara drejt Lindjes.
Raporti vlerëson se ekziston edhe nostalgji post-komuniste e motivuar nga mendimi se jeta ishte më e mirë para vitit 1989.
Si rezultat, shfaqet perceptimi i Rusisë si një partner strategjik i rëndësishëm për të ardhmen.
Të rinjtë në Mal të Zi, ashtu si dhe bashkëmoshatarët e tyre nga Serbia, Hungaria dhe Maqedonia Veriore, shpesh e shohin Rusinë si një partner strategjik.
Këtë fenomen raporti e shpjegon se ndoshta lidhet me faktin se të rinjtë kanë lindur pas mbarimit të komunizmit, prandaj ata bëhen më shpesh viktima të politikave pro-ruse dhe anti-perëndimore.
Në këtë raport nuk është marrë në anketim Shqipëria pasi konsiderohet si vendi më pro-NATO dhe perëndimit.