Një fëmijë 3-vjeçar nuk është rikthyer tek e ëma e tij dhe tashmë policia e Durrësit dhe Kukësit është vënë në kërkim për gjetjen e tij.

Fëmija kishte shkuar në fundjavë tek gjyshërit në Kukës, të cilët janë prindërit e të atit të fëmijës që ka humbur jetën një vit më parë në aksident automobilistik. Denoncimi për këtë ngjarje është bërë nga e ëma e fëmijës, e cila ka thënë në policinë e Durrësit se si çdo javë gjyshërit e mernin nipin dhe e kthenin, por këtë radhë jo.

Ille Gjuni shprehet se ka frikë për fëmijën dhe mendon se vjehrri dhe vjehrra mund ta kenë dërguar jashtë vendit. Ajo shton se mënjëherë pas vdekjes së bashkëshortit, prindërit e tij kanë dashur ta mbanin djalin vetëm ata.

“U bënë sot 4 ditë. Ma kanë marrë që të shtunën në mëngjes dhe s’ma kanë sjellë. Ata duan që të ma marrin çunin, që në fillim donin të marrenin. Kam ikur me zor. Por ata thoshin “të rrijë me ne”. Vjehrri dhe vjehrra. Vinin çdo fundjavë, ia lija unë disa orë. E morën të shtunën në mëngjes dhe s’e sollën më. I mora në telefon dhe më thanë “nuk ta sjellim më.” Kërkon ta marrë ai, nuk tregon se ku është fëmijë. Thotë që “nuk e di ku është”, por gënjen”, thotë nëna.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Policia e ka marrë në pyetje Rexhep Gjunin, 58 vjeç, por ai nuk ka treguar asgjë në lidhje me vendndodhjen e fëmijës. Edhe bashkëshortja e tij bashkë me nipin nuk janë gjetur në banesën e tyre.

Fillimisht ai ka deklaruar se ata janë tek disa të afërm të tyre, por policia nuk i ka gjetur akoma. Ndërkaq e ëma e fëmijës pret me ankth gjetjen e të birit, ndërsa efektivët e policisë vazhdojnë kërkimet. Rexhep Gjuni ndodhet momentalisht i ndaluar nga policia./vizionplus.tv