Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish presidentit Ilir Meta për Ardian Dvoranin.
Me vendim të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO-së për pushimin e hetimeve.
Rikujtojmë se një vit më parë Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi kallëzimin e Metës për ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.
Gjykata pranoi kërkesën e SPAK-ut dhe pushoi hetimet. Aso kohe Ardian Dvorani shprehej se koha e gjyqeve publike ka mbaruar.
Në shkurt të vitit 2019 Presidenti Ilir Meta firmosi kallëzimin penal kundër kryetarit të atëhershëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, pasi e akuzonte për “shpërdorim detyre” dhe “përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.
Ilir Meta, aso kohe president, akuzonte Dvoranin se ai po bënte veprime të politizuara. Lufta mes palëve nisi gjatë procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti dhe Parlamenti në bazë të listave me kandidatë të radhitur përmes një sistemi pikëzimi nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Krizë që ka çuar në zgjedhjen e dy gjyqtareve Kushtetuese për të njëjtin pozicion të lirë.
Meta çoi Dvoranin 3 herë në Kushtetuese, me arsyetimin se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë te presidenti dhe Kuvendi dy lista njëherazi për dy vakanca, ndërkohë që Kushtetuta thotë se duhet ndjekur radha e zgjedhjes së anëtarëve, President-Kuvend-Gjykatë e Lartë.
Sipas Metës, ky ishte një veprim i qëllimshëm nga kreu i KED, për të “detyruar” presidentin që të mos respektojë afatin 30-ditor. Presidenti thotë se Dvorani ka shpërdoruar detyrën duke marrë një vendim individual duke zgjedhur automatikisht Arta Vorpsin, vendim që e publikoi vendimin në Fletoren Zyrtare