Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë gjetur një rrugë që përmes investimeve të bindin Greqinë të njohë pavarësinë e Kosovës. Me ndihmën e Uashingtonit, Athina kërkon të bëhet importuesja më e madhe e gazit e lëngshëm në Ballkan dhe njohja e Kosovës duket të jetë një pjesë e rëndësishme e këtij plani.
Athina pritet të ndërtojë një terminal lundrues të gazit të lëngshëm natyror në portin e Alexandroupolis për të blerë gaz të lëngshëm nga SHBA-ja, të cilin do ta shesë në vendet e rajonit, duke e cilësuar Kosovën si një klient kryesor për një termocentral gazi. Edhe pse gjatë vizitës së fundit të ministrit të Jashtëm grek, Niko Dendias, në Prishtinë nuk pati konfirmime zyrtare, burimet thonë se qeveria e Kosovës pret që plani i investimeve të gazit të çojë në njohjen nga Athina. Prishtina mësohet se e ka vendosur si kusht njohjen në këmbim në investimeve dhe gëzon mbështetje të plotë nga Uashingtoni.
Burimet perëndimore, të përfshira në diskutimet e vazhdueshme me autoritetet e Kosovës për një termocentrali gaz, i thanë agjencisë së lajmeve kroate “DTT-net”, se projekti i gazit dhe marrëdhëniet ardhshme Greqi-Kosovë janë të lidhura ngushtë. Sipas burimeve, autoritetet në Kosovë pritet të japin dritën jeshile për përdorimit të gazit të lëngshëm natyror amerikan dhe ndërtimin e një termocentral iafër Prishtinës si pjesë e strategjisë së saj për tranzicionin dhe diversifikimin e energjisë.
“Ky projekt pritët të çojë shumë shpejt në njohjen e Kosovës nga Greqia”, shkruan agjencia e lajmeve.
Greqia është një nga pesë anëtarët e BE-së që nuk e njohin Kosovën. Kësaj liste i bashkangjitet po ashtu Qipro, Rumania, Sllovakia dhe Spanja. Fakti që marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Athinës po marrin një hov të ri, u nënvizua të premten nga ministri Dendias në një takim me homologen e tij, Donika Gërvalla.
Kjo e fundit u tha gazetarëve se “të dy ministritë ranë dakord të përmirësojnë statusin e zyrës së Kosovës në Athinë nga një zyre ekonomike në një zyrë interesi për çështje jo vetëm të natyrës ekonomike por edhe politike”. Gervalla gjithashtu tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga të 27 vendet anëtare të BE, përfshirë Greqinë, do të kontribuonte në stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Dendias nuk përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë investimet e gazit, por tha se Greqia dhe Kosova janë gati të hyjnë në një fazë të re të marrëdhënieve, me sektorin e energjisë në thelb të saj.
“Vizita ime këtu nënvizon synimin tonë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet tona me Kosovën”, tha ai. “Dëshirojmë të zgjerojmë marrëdhëniet tona ekonomike, marrëdhëniet tona tregtare dhe kjo është arsyeja pse unë jam i shoqëruar nga zv / ministri Kostas Fragogiannis, i cili është përgjegjës për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare ndërkombëtare. Unë i kam kërkuar Kostas që të vërë takimin në bazë të marrëdhënieve tona në fushën e energjisë”, shtoi Dendias.
Sipas planeve të Athinës zyrtare, lëngshëm amerikan do të kalojë përmes Greqisë, në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri dhe më pas në Kosovë dhe më tej në rajon. Strategjia duket se filloi një vit më parë, kur kryeministri grek Qiriako Mitsotaqis njoftoi hapjen e Terminalit të gazit të lëngshëm Alexandroupoli. “Ai do jetë një “burim pasurie” për vendet e Ballkanit dhe do ta kthejë portin e qytetit në një “qendër globale të energjisë”, tha atë kohë Mitsotaqis.
Dendias tha se i gjithë rajoni duhet të lidhet me tubacionin TAP që sjell gaz nga Azerbajxhani në vendet europiane.
“Duke rritur sigurinë e energjisë dhe duke bërë diversifikimin e burimeve të energjisë, ne besojmë se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të lidhet me tubacionin Trans Adriatik përmes. Ne gjithashtu mund të ofrojmë ekspertiza teknike për zgjerimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë… ”, tha Dendias, duke iu referuar impiantit aktual të linjitit në Kosovë.
Shpresat për njohjen e Kosovës nga Greqia nisën rreth një dy muaj më parë, kur Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnett tha se pret që Athina zyrtare të ndryshojë pozicionin e saj mbi pavarësinë e Kosovës nëse marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës përmirësohen. Kosnett e krahasoi çështjen e Kosovës me mosmarrëveshjet e tjera në Ballkan dhe rajonin më të gjerë në të cilin SHBA kanë ndërmjetësuar.
“Kush do të mendonte se Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të arrinin një marrëveshje për emrin, por kjo ndodhi. Njerëzit menduan se Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini ose Sudani nuk mund të kishin marrëdhënie me Izraelin, por kjo ndodhi” tha ai. “Nuk duhet të harrojmë se vendet evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës do të dekurajohen të vazhdojnë këtë politikë nëse Beogradi jep sinjale për legjitimitetin e mëtejshëm të qeverisë së Prishtinës.”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur sipas raporteve presionin ndaj Greqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës përpara nisjes së bisedimeve me Serbinë në qershor.
Po ashtu, njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia përmendet edhe në një strategji të hartuar nga Franca, e cila siç raportojnë mediat serbe ka propozuar formimin e një republike autonome të Veri të Kosovës, në këmbim të njohjes nga Athina, dhe liberalizimit të vizave.
Duke cituar burime diplomatike, mediat serbe shkruajnë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, po bën presion mbi kryeministrin Qiriako Mitsotaqis.
Siç shkruan media serbe “Vesti” Biden ia ka bërë të qartë Mitsotaqis se “është e rëndësishme për Uashingtonin që Athina ta njohë pavarësinë e Kosovës përpara vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, i cili është planifikuar në mes të qershorit”.
Sipas saj, Biden po bën presion ekonomik mbi Greqinë. Në këtë artikull të tyre thuhet gjithashtu se Amerika po i kushtëzon grekët me ndihmë financiare, ushtarake investime dhe hua të reja. Gazeta thekson se nëse Greqia e njeh Kosovën atëherë ka të ngjarë që Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia do të ndjekin shembullin e saj.
SI