Duke raportuar në mbledhjen e komitetit teknik, Sotiris Tsiodras tha se virusi nuk është zhdukur dhe nëse nuk respektohen masat mbrojtëse, atëherë shifrat do të rriten.
“Virusi nuk ka ikur. Është këtu”, u shpreh ai duke bërë të ditur se në vend është ngritur një strukturë e posaçme për të monitoruar mutacionet që mund të pësojë virusi.
“Nëse varianti i ri i virusit mbizotëron në vend, mund të kemi problem deri në fillim të Marsit. Duhet të jemi vigjilentë. Atika (zonë në Athinë) është një zonë që kërkon vëmendje të veçantë.
Hulumtimet tregojnë se ka një rritje të madhe të të infektuarve”, tha Tsiodras, duke vlerësuar se rastet e infeksioneve mund të rriten nga 7 mijë deri në 8 mijë në javë në të gjithë vendin deri në fund të muajit Mars.
Ai kërkoi që masat e vendosura kundër pandemisë të respektohen me seriozitet, aq më tepër tani që qarkullon edhe mutacioni i Covid-19 që ka transmetueshmëri më të madhe.