Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha votoi sot në mëngjes në lagjen e tij, në çerdhen numër 13, në njësinë 8 në Tiranë.
Ndërkohë, mesditën e sotme Basha ka dalë në Tiranë, ku i entuziazmuar me buzëqeshje në fytyrë ka takuar qytetarë të ndryshëm.
Fotot, Basha i ka ndarë në rrjetet sociale.
Qytetarët shqiptarë pas një muaji intensiv të fushatës zgjedhore, qytetarët do të zgjedhin me votën e tyre qeverinë e re, për katër vitet e ardhshme.
Qendrat e votimit janë të hapura prej orës 07.00 deri në 19.00.
Janë tri mënyra si mund të votohet, me qëllim që vota të jetë e vlefshme:
-Qytetari mund të votojë vetëm subjektin zgjedhor (parti/koalicion) dhe të mos votojë për asnjë nga kandidatët e atij subjekti zgjedhor. Pra të shënojë X ose + vetëm në kuadratin përbri partisë apo koalicionit. Në këtë rast vota i shkon listës së kandidatëve në tërësi, sipas renditjes që ka paraqitur subjekti zgjedhor;
-Qytetari mund të votojë për subjektin zgjedhor dhe gjithashtu mund të votojë vetëm njërin nga kandidatët e atij subjekti. Pra të shënojë X ose + në kuadratin përbri partisë politike ose koalicionit që preferon dhe të shënojë X ose + vetëm në njërin nga kuadratet përbri numrit të kandidatit të tij të preferuar të asaj partie ose koalicioni qe ka zgjedhur. Në këtë rast, vota i shkon subjektit zgjedhor dhe kandidatit të atij subjekti;
-Qyetari mund të votojë vetëm për një kandidat (duke shënuar X ose + vetëm në kutinë që i korrespondon numrit të kandidatit të preferuar), pa votuar subjektin zgjedhor të cilit i përket ai kandidat. Në këtë rast vota shkon për kandidatin, por shkon edhe për subjektin të cilit i përket kandidati.