Fluks në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë Thanës. Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë 24 orëve të fundit nga kjo pikë kufitare kane hyrë e kanë dalë më shumë se 4000 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Të njëjtat burime thanë se fluksi më i madh është regjistruar në dalje nga vendi ynë drejt Maqedonisë së Veriut, 2100 shtetas. Të cilët vazhdojnë të përdorin pikat kufitare të vendit fqinj për të hyrë drejt Greqisë, pasi Kapshtica vijon të jetë e bllokuar në mënyrë të njëanshme nga grekët.
I lartë gjatë 24 orëve ka qenë edhe numri i shtetasve që kanë hyrë nga Maqedonia e Veriut drejt vendit tonë gjatë 24 orëve. Ky fluks në rritje ka detyruar autoritetet e Policisë Kufitare në Qafë Thanë të punojnë me 3 sportele në dalje dhe 2 të tjera në hyrje. Ndërsa pala maqedonase po punon me dy sportele në hyrje dhe një në dalje.
Gjatë 24 orëve të fundit nga Greqia në drejtim të Shqipërisë nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës kanë hyrë vetëm 86 shtetas dhe 31 mjete.