Që nga marsi i vitit 2020, euro po njeh vetëm një trend rënës në këmbimin me monedhën vendase.
Por kjo rënie ishte veçanërisht e pazakontë për muajin shtator. Në tregun valutor një euro po këmbehet me 121 lekë dhe ky dobësim sipas ekspertëve, lidhet me disa arsye.
Ndër më kryesorët prej tyre janë paratë e pakontrolluara që hyjnë në ekonominë shqiptare. Por ndikim po jep edhe lëvizja në arenën ndërkombëtare me kriptovalutat, fakt që po e mban euron të nënçmuar.
“Kemi një fluks parash që futen në ekonominë shqiptare në mënyrë të pakontrolluar. Ky fluks që futet në ekonominë shqiptare në mënyrë të pakontrolluar është monedhë e huaj, që vjen për shkak të aktivitetit kriminal.
Tre javët e fundit në arenën ndërkombëtare ka patur lëvizje shumë të mëdha të monedhave dhe kjo vjen për shkak sepse kina vendosi që kriptomonedhat t’i quajë ilegale. Kjo do të thotë që kërkesa për tregti në kursin e monedhave të bjerë derisa të gjendet një kanal ku këto para të kanalizohen”, shprehet eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko
Pritshmëritë janë që monedha europiane të forcohet në muajt në vazhdim.
“Rrjedha normale e euros do të jetë nga nëntori deri në dy javët e para të dhjetorit, do të ketë një rritje të euros. Më pas do të ketë një rënie sërish të euros për shkak të ardhjes së emigrantëve. Pas javës së parë të janarit pritet një rritje e lehtë e euros sepse tregtarët dalin jashtë shtetit për të blerë. Ky është cikli deri në marsin e vitit tjetër, kur pritet një rënie tjetër”, thekson Ceko.
Por cili është impakti i zhvlerësimit të euros, monedha që dominon në import/ eksportet?
“Në momentin që ne kemi një produkt të caktuar në një stinë të caktuar, në atë moment monedha vendase duhet të bjerë. Në një kohë që ne kemi lekun e fortë dhe euron e dobët. Duhet të jetë e kundërta që ne të eksportojmë produktet bujqësore. Kur duam të eksportojmë, duhet të bjerë leku. Në momentin që ne duam të importojmë teknologji, siç jemi tani, leku duhet të jetë i fortë, që me sa më pak lekë, të blejmë sa më shumë produkte që na duhen.”
Sipas kursit zyrtar të këmbimit nga Banka e Shqipërisë, euro zbriti në nivelin e 121.3 lekëve gjatë sezonit veror dhe po qëndroi në këto nivele edhe gjatë shtatorit.