Në një kohë kur Italia, Britania dhe Kosova do të futen në izolim për festat e fundvitit, thirrja e epidemiologes Eugena Tomini për shqiptarët është që të festojnë vetëm me familjen e vogël. Në një lidhje direkte për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, Tomini tha se kjo gjë duhet bërë për të patur për një kohë sa më të gjatë njerëzit e zemrës afër.
“Ekspertët e Komitetit Teknik mblidhen në mënyrë sistematike. Komiteti do të vlerësojë edhe në vijim në mënyrë dinamike të gjithë siutuatën. Festimet këtë vit të bëhen në familjen e vogël, të bëhen ngushtë, të festojmë me zemër këtë vit, që të kemi njerëzit sa më gjatë pranë.”
Uljen e lehtë të rasteve të reja dhe viktimave në ditët e fundit, Eugena Tomini e lidhi me masat e marra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.
“Është vlerëuar në dinamikë situata epidemiologjikë dhe në 4-6 javët e fundit do të shihej edhe efekti. Numri i ulët u atribuohet edhe masave të implementuara. Nëse vijohet kështu, do të mbahet një trend i qëndrueshëm i rasteve pozitive, por distancimi fizik duhet të vijojë edhe me higjienën personale e vendosjen e maskës.”
Shefja e Epidemiologjisë nënvizoi se testet e shpejta kanë qenë një ndihmesë e madhe në identifikimin e rasteve dhe izolimin e tyre. Sa i takon vaksinës, Eugena Tomini shtoi se po bëhen përpjekje me të gjitha grupet që të sigurohet sa më parë.