Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka besim se strukturat e reja të drejtësisë do të godasin korrupsionin dhe krimin e organizuar. Duke marrë shkas nga operacioni “Shpirti”, Gjonaj deklaroi se tani po flitet me raste konkrete në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
“Strukturat e reja të posaçme me luftën ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, kanë filluar të flasin në emër të drejtësisë penale të re me raste konkrete të procedimeve penale të nisura dhe përfunduara, me pasuri të sekuestruara brenda dhe jashtë sistemit. Jam besimplotë se SPAK-u bashkë me BKH-në që sapo ka emëruar 28 hetuesit e parë, do të mund të bëjnë raste suksesi që lidhen me luftën kundër pandëshkueshmërisë për veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar.”
Ministrja e ndali theksin edhe te procesi i vetingut, duke deklaruar se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar e joprofesionalë po largohen nga sistemi.