Derbi i kryeqytetit përjetohet gjithmonë nga çdo tifozë e aq më tepër në këtë fazë ku të dyja skuadrat janë pretendente kryesor për titull.
Sot në ditën e shumëpritur Partizani sfidon Tiranën në “Air Albania”, por për fatin e keq stadiumi sërish do të jetë i boshatisur për shkak të protokolleve anticovid. Megjithatë ultrasit e vërtetë dhe këtë herë kanë gjetur të tjera zgjidhje për të mbështetur skuadrën e tyre.
Grafikat në lagjet e kryeqytetit tregojnë qartë se dashuria për skuadrën e zemrës shkon përtej shkallëve të stadiumit. Kujtim Nemaci, një tifoz që ka 50 vite që e ndjek Tiranën tregon emocionet në prag të ndeshjes me të kuqtë.
Kujtim Nemaci, tifoz
Eshtë gjithmonë një emocion i veçantë, unë kam 50 vite që e ndjek Tironën dhe për asnjë moment nuk do të heq dorë. Më duket e pakuptimtë të na mbajnë larg stadiumit kür pandemia ka rënë në këto nivele, tifozeria jonë e ka treguar që dime të sillemi me norma. Ne pretendimet i kemi të larta gjithmonë përsa kohë që mbajme emrin e Tironës, një klub jo si të tjerët. Kështu që ne shpresojmë deri në fund.
Advertisement
Një duel që sjell gjithmonë rivalitet tek të dyja skuadrat dhe që siç thonë tifozët edhe vëllai me vëllain bëhen armiq për 90 minuta.
“Unë nuk e quaj derbi këtë, derbi e quani ju. Për ne është vetëm ndeshje e radhës. Presioni është i pakët dhe në 90 minuta ne mbajmë inate dhe me vëllain tonë që mund të jetë tifoz i Tiranës. Megjithatë, çdo gjë sheshohet me vonë dhe respekti rikthehet sërish. Kjo ndeshje merr gjithmonë një tjetër vëmendje dhe i bëj thirrje autoriteteve që masat kufizuese të mos jenë, fushata elektorale zhvilloheshin në stadium, ndërkohë tifozët e shohin nga televiziori…”
Advertisement
Ndeshja Partizani-Tirana do të luhet sot në orën 19:00 në stadiumin kombëtar në Tiranë.