Manushaqe Picari, bashkëshortja e Mexhit Picarit që vrau dhëndrin e tij në një lokal në Tiranë, rrëfeu gjithë përplasjet që çuan në ngjarjen e rëndë.
Ajo thotë se familja e saj merrte kërcënime të vazhdueshme nga dhëndri Kudret Saliaj, ndërsa policia mbante anën e tij.
“Erdhi që ta vriste burrin tim me kamion, prapë shteti e nxori nga burgu. Shkova te Rajoni 6 nuk e mori se tha e ka Rajoni 4, shkuam në Vorë na thanë prapë e ka Rajoni nr.4, sepse katrën e kishte mik ai. E prandaj gocës i vunë pranga. Dhe kërkova drejtësi direkt në polici, u thashë ju lutëm atij drejtorit, ti merre vjehrrën këtu i thashë.”
Manushaqe Picari pretendon se vajza e saj Dhurata Saliaji është dhunuar vazhdimisht nga Kudret Saliaj. Ajo shton se dhëndri ka dashur të manipulojë edhe policinë kundër të bijës, por sipas saj e vërteta qëndron ndryshe, ndërsa tregon me foto edhe shenjat e dhunës në fytyrën e vajzës së saj.
“Nëse goca ime ka rrahur vjehrrën të shkonte vjehrra në polici dhe të tregonte provat. Ai rrihte gocën dhe e futi në burg për dhunë në familje, ku e ka ekspertizën që goca i kishte rrah, i kanë saju të gjitha gjërat vetë. E ka çarë gocën duke e rrahur që të binte gjasme nëna e vet në burg e të shpëtonte ai.”
Mexhit Picari 53 vjeç qëlloi të premten me pistoletë bashkëshortin e vajzës që ndodhej në proces divorci. Kudret Saliaj 41 vjeç humbi jetën në vend, ndërsa nga plumbat u plagos dhe një avokat.
Policia arrestoi edhe vajzën e autorit të ngjarjes, si bashkëpunëtore e dyshuar në krimin e rëndë.