Komuniteti i biznesit u përball me fatura gati të trefishuara të energjisë për muajin janar dhe disa shoqata biznesi thanë se këto kosto janë të konsiderueshme në këto kohë, kur çdo produkt është shtrenjtuar ndjeshëm. Por, e pyetur për këtë çështje, ministrja Belinda Balluku hodhi poshtë këto ankesa. Sipas saj, nuk ka ndryshime të çmimeve, por vetëm rritje e tarifave të transmetimit.
“Nuk ka asnjë rritje tarifash, nëse kjo ka ndodhur, të vijnë të na i tregojnë, e vetmja që është rritur për bizneset me tension të mesëm është 3 lek tarifë që është çmimi i transmetimit, që është normale që të jetë e aplikueshme”, u shpreh Balluku.
Çmimet e importit vijnë të jenë të larta, ndërsa, qeveria, sipas ministres, po subvencionon tarifat e energjisë për bzinesin, të cilët duhet ta paguajnë çmimin e energjisë me 40 euro për mhw/orë.
“Bursa në 3 mars ka arritur çmimin prej 358 euro për mhw/orë. Këtu duhet të marrim të gjithë përgjegjësitë tona. Askush nuk i ka kërkuar askujt të bëhet biznesmen i madh, i vogël apo i mesëm. Me paratë nga buxheti i shtetit ne po mbulojmë diferencat mes çmimeve të importit dhe çmimeve, me të cilat po faturojmë bizneset dhe ata prap ankohen. Nuk mund të them a po abuzojnë bizneset, por le të shohin marzhet e tyre të fitimit, t’i ulin pak në këto kohë krize.”