Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti me pasoja të rënda për jetën.
Si rezultat u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit Esat Sliamj, 32 vjeç, banues në Kamzë.
Ky shtetas, në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, dyshohet se ka qëlluar për motive të dobëta, me armë zjarri në drejtim të shtetasit I. I., 23 vjeç, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje.
Shtetasi E. S., në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici.
Shërbimet e Policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit E. S., kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.