ENKELEJDA MEMA – GAZETARE E VIZION PLUS
25 ditë përpara se zgjedhësit të shprehin vullnetin e tyre politik, më në fund Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë sesi do të jetë fleta e votimit. Pika në të cilën mazhoranca dhe opozita nuk bien dakord është për identifikim e kandidatëve për deputetë. Partia Socialiste këmbëngul në identifikimin e tyre me numra ndërsa Parti Demokratike me emra. Debati duket se po shkon drejt identifikimit të kandidatëve për deputetë me emra.
Diskutimit me emra apo me numra do t’i japë fund Komisioni Rregullator, në mbledhjen e pasdites.
Vendimmarrja e tyre, raporton Vizion Plus, është prirë nga diskutime me përfaqësuesit politik dhe komisionerit shtetëror të zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, për të dakordësuar përmbajtjen e fletës së votimit, për aq kohë sa miratimi i saj kërkon votën e katër prej anëtarëve të Komisionit Rregullator.
Deri me tani qasja e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, por edhe ekspertëve zgjedhor është drejt propozimit të Partisë Demokratike, identifikimit të kandidaturave me emra, me argumentin se është më e thjeshtë për votuesin.
Edhe nëse rregullatori do të miratojë kërkesën e socialistëve, kërkesën me numra, në çdo rast KQZ do t’u vijë në ndihmë zgjedhësve duke vendosur në çdo qendër dhe dhomën e fshehtë të votimit, fletëpalosje ku prezantohen dhe me emër edhe me numër kandidatët për deputetë të çdo force politike.
Për nga përmasat më e vështirë për t’u administruar nga zgjedhësi do të jetë fleta e votimit për qarkun e Tiranës, për shkak të numrit të madh të kandidaturave, 36.
Ndërsa për 11 qarqet e tjera, ben te ditur Vizion Plus, nuk do të përbëjë shqetësim në leximin e saj nga votuesit. Edhe nga anketimi i kryer nga vetë KQZ në rrjetet sociale për përdorimin e numrit apo emrit, më së shumti qytetarët kanë zgjedhur që në fletën e votimit, kandidatët për deputetë t’i gjejnë përmes emrit.
Me ndarjen para-kohe nga jeta të Bashkim Finos, i renditur i katërti në listën e qarkut të Fierit, emri i tij nuk do të hiqet. Kodi i ri elektoral jo vetëm nuk parashikon sesi procedohet në një rast të tillë, por tanimë listat e kandidatëve për deputetë janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.