Policia e Elbasanit ka vënë në pranga katër persona pas finalizimit të operacionit “Cërrik 2022”.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 4 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, e ndarë në doza, një sasi parash dhe sende të tjera të jashtëligjshme
Në pranga kanë rënë
1.Redjon Rami,
2.Erald Filja,
3.Olsi Meçanaj
4.Renaldo Raga.
Njoftim i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Cërrik 2022”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Operacioni nga strukturat hetimore e operacionale të DVP Elbasan dhe Komisariati i Policisë Cërrik, në bashkëpunin me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH.
Sekuestrohen 4 armë zjarri, municion luftarak, lëndë narkotike kokainë dhe kanabis, e ndarë në doza, një sasi parash dhe sende të tjera të jashtëligjshme.
Vihen në pranga 4 shtetasit që i posedonin.
Nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve dhe të Sektorit për Shërbime të Specializuara në DVP Elbasan, si dhe shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Cërrik, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas një punë hetimore disamujore, është finalizuar operacioni policor i koduar “Cërrik 2022”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:
-R. R., 32 vjeç, E. F., 35 vjeç dhe O. M., 46 vjeç, të tre banues në Cërrik dhe R. R., 27 vjeç banues në fshatin Valas.
Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
4 armë zjarri pistoleta, një sasi fishekësh, lëndë narkotike kanabis dhe kokainë, e ndarë në doza gati për shitje, 1 përforcues grushti, një sasi parash dhe 5 aparate celulare.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, merreshin me aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike dhe të armëve të zjarrit.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” të kryera në bashkëpunim.