Trajneri i Kombëtares shqiptare U-21, Alban Bushi, doli sot në konferencë për shtyp, ku shpalli listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e eliminatoreve të Evropianit ndaj Andorrës (07.10.2021) dhe Sllovenisë (11.10.2021).

Tekniku kuqezi shpjegoi zgjedhjet e tij për dy ndeshjet e radhës, teksa theksoi se fokusi është te ndeshja e parë me Andorrën, ku objektivi është marrja e tre pikëve. Gjithashtu, Bushi tha se kërkon reagim nga përfaqësuesja e 21-vjeçarëve pas humbjes me Çekinë dhe se ka shumë punë për të bërë pasi lojtarët janë të rinj dhe janë gjithmonë në rritje të vazhdueshme.

Ndër të tjera, trajneri u shpreh se vazhdon puna për evidentimin e lojtarëve të talentuar që aktivizohen jashtë vendit përmes skautëve për të afruar në ekipin kuqezi vazhdimisht elementë që mund të vlejnë për perspektivën. Në listën prej 25 lojtarësh spikasin emra si Kristjan Asllani, Ernest Muçi, Armando Dobra apo edhe Dijar Nikqi.

Më poshtë edhe deklarata e trajnerit Bushi në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve sot në konferencë për shtyp.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Lojtarët e grumbulluar – Unë gjithmonë do të marr ata lojtarë që janë më në formë. Nuk mund të marrim një lojtar që mund të luajë në kampionatin shqiptar që është i dobët me një tjetër që është jashtë që mund të luajë më mirë. Por gjithsesi, kampionati shqiptar, ngaqë jemi më afër dhe e shohim pothuajse çdo javë dhe jemi më të fokusuar këtu. Por gjithsesi, fokusi ynë me skautët tanë është edhe jashtë, kështu që kemi menduar të bëjmë një miks, siç kemi bërë gjithmonë, për të nxjerrë më të mirën për këto dy ndeshje.

Objektivi për këto dy ndeshje – Ne duam të marrim 3 pikë në ndeshjen me Andorrën, që është shumë e rëndësishme për ne. Ne vijmë nga një humbje jo e mirë dhe në përgjithësi gjithmonë humbjet janë të hidhura, siç ishte humbja me Çekinë. Nga kjo humbje kemi nxjerrë shumë mësime dhe humbjet nga një anë kanë edhe gjëra pozitive se ti mëson se ku ke gabuar për t’u përmirësuar për të ardhmen. Këto dy ndeshje janë shumë të rëndësishme për ne, sidomos ndeshja ndaj Andorrës. Grupin nuk e kemi të plotë, që nga fillimi i eliminatoreve deri tani, grupi ka qenë me shumë mungesa dhe me shumë vajtje në ekipin e parë. Por gjithsesi, jemi munduar që edhe me ato moshat e vogla që kemi marrë të bëjmë më të mirën.

Marco Alia? – Ne gabuam të gjithë, nuk gaboi vetëm Marco Alia. Gabimet janë pjesë e lojës, po nuk gabove, i bie që mos të fitojë asnjëri. Alia ka pasur arsye personale, më ka telefonuar dhe nuk ndihet mirë për momentin. Do të fokusohet tek ekipi i tij dhe për këtë arsye nuk është pjesë e ekipit këtë radhë. Nuk mendoj asnjëherë që një lojtar që gabon, të mos jetë pjesë e ekipit. E kam thënë gjithmonë që, gabimet janë shumë të këqija kur janë gabime në mendim dhe jo kur janë gabime teknike. Ai ishte një gabim teknik dhe nuk quhet. Ata janë të rinj, janë të vegjël, po nuk gabuan nuk do të mësojnë. E rëndësishme është të mos gabojnë në mendim.

Humbja ndaj Çekisë? – Unë mendoj se ne duhet t’i harrojmë gjithmonë humbjet, por edhe fitoret pas ndeshjes. Dhe i kemi harruar, si humbjet ashtu edhe fitoret, që duhet thënë se kanë qenë shumë, pasi kemi pasur shumë vitet e kaluara dhe kemi bërë një edicion shumë të mirë. Jemi ekipi i vetëm Shpresa në historinë e futbollit shqiptar që kemi zënë vend të tretë dhe kemi marrë 14 pikë. Do të tentojmë ta bëjmë përsëri atë, por akoma edhe më mirë këtë edicion. Kanë kaluar vetëm dy ndeshje, i kemi luajtur të dyja jashtë, kemi fituar në Andorra, kemi humbur në Çeki dhe jemi akoma brenda objektivave.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Alternativa më shumë për këto ndeshje? – Derisa janë 25 lojtarë, edhe alternativat bëhen më shumë. Nuk është se kemi grupin më të mirë, e thashë dhe më sipër, kemi mungesa. Kishim menduar ndryshe përpara eliminatoreve, por këto janë gjëra që ndodhin në futboll, prandaj jemi edhe ekip Kombëtar dhe kemi skautët tanë në të gjithë Europën, që të na sjellin sa më shumë lojtarë dhe të kemi sa më shumë alternativa. Është një grup i ri. Me ekipin Shpresa kemi në çdo ndeshje lojtarë të rinj dhe është pak e vështirë të adaptohen me ekipin, pasi janë shumë pak stërvitje. Këtë radhë kemi vetëm një stërvitje zyrtare, që do të thotë se të dielën lojtarët do të luajnë, të hënën do të jenë në rikuperim dhe ditën e martë do të kemi një ose dy stërvitje. Të mërkurën do të kemi stërvitjen përpara ndeshjes që është vetëm shkrythëse dhe pak shpejtësi. Pra, me një stërvitje, lojtarët duhet të jenë shumë të aftë, prandaj janë lojtarë të Kombëtares dhe duhet t’i kuptojnë gjërat shumë shpejt dhe duhet të kuptojnë strategjinë time që mos të kemi probleme në lojë. Prandaj jemi munduar që të bëjmë më të mirën. U them lojtarëve që t’i kuptojnë gjërat shumë shpejt.

Anglia, kundërshtari më i fortë i grupit? – Edhe Anglia është dhe nuk është e fortë. Futbolli luhet 11 me 11. U bëra disa vite trajner i Shpresave dhe i kam parë pothuajse të gjithë ekipet, nga Italia dhe Spanja. Thjesht duhet përqëndrim i madh dhe sakrificë, për të përballuar kundërshtarët e nivelit të mirë dhe nivelit të dobët. Kemi ekipin e Andorrës që mund të vijë këtu dhe të na shënojë 5 gola, nëse nuk ka përqëndrim dhe nuk jepet maksimumi. Ne si ballkanas i nënvlerësojmë pak ekipet e dobëta, por nuk duhet. Jam munduar të kërkoj gjithmonë maksimumin dhe kam thënë që unë në minutën e 5-të unë mund të bëj edhe një ndërrim, nëse shoh që dikush nuk vrapon apo nuk lufton, apo që nuk sakrifikon për shokun e Shqipërinë./ FSHF.org