Policia e Elbasanit ka vënë në pranga tre persona dhe shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen se kanë kërcënuar administratorin e një kompania. Kërcënimet vinin si pasojë e pjesëmarrjes së kompanisë private në një tender, për të cilin të arrestuarit kishin kërkuar që të tërhiqej nga gara.
Tenderi i ftuar nga kompania në fjalë ishte dhënë nga Bashkia Tiranë.
“Specialistët e strukturave hetimore të DVP Elbasan, mbështetur nga inteligjenca informative se disa shtetas kishin kanosur administratorin e një firme në Cërrik dhe vijonin ta shtrëngonin që të tërhiqej nga një procedurë tenderimi që kishte fituar në bashkinë e Tiranës, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila regjistroi procedimin penal”, thuhet në njoftim.
Policia njofton se personat e arrestuar kanë kërcënuar me jetë administratorin e firmës private dhe familjen e tij.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur nga autorët dhe 8 aparate celulare.