Ekzekutohet në mes të Tiranës Behar Sofia, i konsideruar si një nga bosët e trafikut të heroinës nga Turqia.
66 vjeçari u qëllua me dy plumba nga persona të paidentifikuar teksa ishte duke ecur në këmbë në afërsi të Piramidës.
Ngjarja, raporton Vizion Plus, ndodhi rreth orës 09:00 të mëngjesit. Behar Sofia u gjet i plagosur rëndë nga kalimtar të rastit, ndërsa humbi jetën në spital pasi nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ai dyshohet se u qëllua me armë zjarri me silenciator nga një automjet në lëvizje, pasi në zonë nuk u dëgjuan të shtëna.
Ndonëse ende nuk ka një pistë zyrtare hetimi, vrasja mendohet të ketë ardhur si rrjedhojë e trafikut të lëndëve narkotike. Kjo pasi Behar Sofia njihet nga policia si bashkëpunëtori më i afërt i Abdulselam Turgut, personit që akuzohet se drejton trafikun e heroinës nga Turqia drejt vendeve të Bashkimit Europian.
66-vjeçari ka qenë me precedent të mëprashëm penal pasi rezulton i dënuar jashtë vendit. Në vitin 1998, Behar Sofia u arrestua në Turqi së bashku me Abdulselam Turgut si dhe disa shqiptarë të tjerë.
Behar Sofia, shton Vizion Plus, njihej ndryshe dhe me emrat Fatmir Sofia dhe Behar Seferi. Ai ka disa biznese në Tiranë dhe Durrës, ndërsa emri i tij, përveç lidhjeve me grupet e drogës, përmendet edhe në ngjarjen e 7 gushtit 2009 kur në Durrës u vranë katër efektivë policie nga ana e Dritan Dajtit.
Krahas pistës të trafikut policia po heton dhe atë të hakmarrjes, pastrimit të parave apo konkurrencës, pasi bizneseve të tij i janë vendosur sasi tritoli disa herë.
Mësohet se disa persona janë shoqëruar në polici dhe po merren në pyetje lidhur me ngjarjen. Atentati mendohet të ketë qenë i mirëorganizuar, pasi në vendin ku ndodhi krimi nuk ka pasur kamera sigurie, çka e bën të vështirë për hetuesit identifikimin e ekzekutorëve, të cilët dyshohet se janë larguar drejt rrugës së Elbasanit.
Ndërkohë përgjatë gjithë akseve rrugore janë ngritur postblloqe të shumta ndërsa janë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë të bizneseve rreth zonës.