Partitë politike janë nën garën e premtimeve elektorale, fokusuar te ulja e barrës së taksave. PS është duke i dhënë dorën e fundit programit, por në boshtin e saj nuk parashikohet të ketë lehtësira për biznesin e madh. Numri dy i Financave, Vasilika Vjero shpjegoi në E-ZONE këtë qasje:
“Ne mendojmë që edhe në katër vitet në vijim biznesi i madh do të vijojë të mbajë peshën e të ardhurave në buxhet. Nuk kemi në plan të aplikojmë lehtësira të mëtejshme për biznesin e madh, pasi ne ulëm dividentin nga 15 në 8 % dhe kjo ishte një masë që prek një pjesë të mirë të tyre. Kjo është edhe qasja e taksës sonë progresive”, shpjegon Vjero
Nga ana tjetër, për qeverinë, progresiviteti do të vijojë të mbetet vetëm tek të ardhurat nga puna, por me tendencë ulje të normës së taksës 23%, normë e cila ende nuk është përcaktuar se sa do të ulet.
“Në diskutimet e deritanishme, ne mendojmë se progresiviteti nuk do të shtrihet edhe në të ardhura të tjera, por do të mbetet tek të ardhurat nga paga.”
Sistemi i taksave është ai që dy partitë kryesore ndahen në programet e tyre, ku PD kërkon të rikthejë sërish taksën e sheshtë 9%.