Edhe pse në daljen e tij, kryeministri nuk ishte konkret lidhur me efektet që do të ketë kjo krizë te biznesi i madh, pjesë e skenarit është fakti se rreth 7 mijë biznese të mëdha që furnizohen me tension të lartë, do të mund të përballen me çmimet e energjisë sipas bursës. Skema e çmimit mbetet ende për t’u përcaktuar, por, sipas Alban Zusit, qeveria duhet të jetë e kujdesshme në një liberalizim të tregut të energjisë, pasi efektet janë të mëdha.
“Nëse i thotë biznesit të madh ‘dil e merre në treg të lirë me çmimet që ofron bursa, pa më dhënë një mundësi të blejë nga HEC-et e brendshme apo të lehtësojë në minimum procedurat për të kryer investime individuale në fotovoltaik’, atëherë skema nuk është e ndershme dhe do të ketë efekte. Një situatë e tillë jo vetëm do të frenojnë zgjerimin e kompanive, por nëse kostot do të jenë të mëdha, do të reduktojë staf. Në çdo rast është ekonomia, e humbur. Nëse do të jemi pa zgjidhje përballë faktit të kryer të rritjes së kostove, atëherë biznesi do ta transferojë atë në çmimin e produktit final që paguajnë konsumatorët”, u shpreh Zusi.