Nga Xhuliana Toci
Ernesti ishte një nga mijëra qytetarët që kaloi këtë fundjavë kufirin nga Kosova në Shqipëri. Ai punon si kuzhinier në nga hotelet më luksoze të Gjilanit. Megjithatë pas hyrjes në fuqi të masave kufizuese në Kosovë, të cilat përfshin edhe mbylljen e restoranteve dhe kafeneve, ai dhe i gjithë stafi janë nisur drejt Shqipërisë, ku do të qëndrojnë derisa masat të jenë në fuqi.
“Një ditë pasi u mbyll hoteli, u nisëm me kolegët e tjerë dhe miq të tyre drejt Tiranës. Jemi 32 veta që po qëndrojmë në Shqipëri deri nga fundi i prillit”, i thotë ai. Ernesti është më origjinë nga Tirana dhe vendosi të zhvendosej në Kosovë për punë.
Edhe pse ai është kthyer në Tiranë për të kaluar kohë pranë familjes, kuzhinieri 22 vjeçar i tregon se një pjesë e mirë e stafit, si dhe pronari i hotelit në Gjilan, janë anëtarë ose mbështetës të Vetëvendosjes dhe kanë vendosur angazhohen në fushatën zgjedhore për të ndihmuar tre kandidatët e kësaj lëvizjeje në Shqipëri. “Ata u morën shumë dhe me fushatën në Kosovë. Në hotel bëmë festë të madhe kur fitoi Albin Kurti. Tani shumë po merren dhe me fushatën këtu”, thotë i riu.
Ai është një nga rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës që erdhën këtë fundjavë në Shqipëri, pasi jemi i vetmi vend ku shqiptaret e Kosovës nuk kanë nevojë për tampon negativ për të kaluar kufirin, pasi kryeministri Albin Kurti e hoqi këtë masë disa ditë më parë.
Për pjesën më të madhe të tyre, kjo është mënyra më e mirë për t’i shpëtuar karantinës në Kosovë, ndërsa për të tjerë, përfshirë edhe figura të larta të qeverisë së Kosovës, ky është momenti më i mirë për të mbështetur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë dhe tre kandidatët e saj, Bojken Abazi për Tiranën, Iliaz Shehu për Lezhën dhe Kreshnik Merxhani për Gjirokastrën.
Zgjedhjet e 25 prillit janë të parat për Lëvizjen Vetëvendosje në Shqipëri dhe Abazi, po ashtu kreu i kësaj lëvizjeje në Tiranë duket se e ka të qartë se nuk mund të garojë përballë partive të tjera të mëdha pa mbështetjen e aktivistëve në Prishtinë apo edhe atë të kryeministrit Albin Kurti, i cili gëzon mbështetje të madhe në vendin tonë.
“Bashkë me aktivistë dhe deputet nga Kuvendi i Kosovës, shkuam në në Kavajë në mbështetje të Boikenit. Kavaja si secili qytet tjetër në Shqipëri na ka mirëpritur edhe neve edhe programin tonë si alternativë e re”, thotë Valëza Mjeku, zyrtare e Kuvendit të Kosovës dhe aktiviste e Vetëvendosjes që jeton në Prishtinë.
Si shumë aktivistë të kësaj lëvizjeje edhe ajo ka ardhur në Tiranë për t’u angazhuar në fushatë bashkë me kandidatët e VV në zgjedhjet e 25 prillit. Mbështetësit e Vetëvendosjes, përfshirë edhe ata që kanë ardhur nga Kosova, u përfshinë të dielën në përplasje me policinë pas arrestimit të 33 aktivistëve që u arrestuan pas një proteste kundër ndërtimit të Lumit të Thirrës në Mirditë.
Edhe pse nuk është ende e qartë se sa anëtarë të lëvizjes Vetëvendosje po angazhohen në fushatën zgjedhore në Shqipëri, shumë prej figurave kyçe të qeverisë së Kosovës dhe kësaj partie po shoqërojnë kandidatët e pavarur të 25 prillit në të gjitha takimet e zhvilluar së fundmi. Bashkë me qytetarët që kërkojnë t’i iknin mbylljes, në Tiranë ndodhet edhe ministri i Infrastrukturës në Qeverinë Kurti, Liburn Aliu dhe deputeti i Vetëvendosjes, Valon Ramadani.
Në fotografi të publikuara në rrjete sociale, ministri Aliu shihet bashkë me kandidatet për deputet të VV-së në Shqipëri, Boiken Abazi dhe këshilltaren e Komunës së Vitisë, Liridona Bislimi.
“Nga qyteti i vogël i Rrogozhinës, që është skaji më jugor i qarkut të Tiranës, me kandidatin tonë, Boiken Abazin. Rrogozhina është një nyje e rëndësishme infrastrukturore për shqiptarët, dhe Boikeni do të ketë vëmendje të veçantë për zhvillimin e Rrogozhinës. Ta mbështesim kandidatin numër 13, Boiken Abazin”, shkruan ministri në një postim në rrjetet sociale.
Aliu është bërë kështu ministri i parë i Kosovës që përfshihet në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri dhe së bashku me deputeti Ramadani e kanë shoqëruar po ashtu kandidatin Abazi në takimet e tij me qytetarët në Tiranë. “E njoh Boiken Abazin prej shumë vitesh, e qysh prej 2010 ai ka mbajtur pozita të larta drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE!
Së fundi udhëhoqi Sekretariatin për Marrëdhënie me Jashtë, dhe falë tij, sot organizata jonë është e njohur ndërkombëtarisht ”, shkruan ministri Aliu në një postim të dytë në rrjetet sociale duke i bërë thirrje shqiptarëve të votojnë për Abazin.
Mes zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes në Kosovës që po bëjnë fushatë në Shqipëri është edhe Arbër Zaimi, i cili ka reaguar ashpër në rrjetet sociale për arrestimin e 33 aktivistëve të Vetëvendosjes në protestën në Mirditë, duke kërkuar lirimin e tyre dhe duke akuzuar qeverinë shqiptare për veprime despotike. “Vajzave aktiviste të ndaluara nga policia pas protestës në fshatin Thirrë, u është bërë presion për të nënshkruar deklarata të gatshme, pa praninë e avokatit. Sigurisht që nuk kanë pranuar, e avokatët tanë, aktivistë, tashmë janë atje”, shkruante të dielën zyrtari i lartë i Vetëvendosjes.
Edhe pse Albin Kurti nuk ka udhëtuar drejt Tiranës për të marrë pjesë në fushatë pasi nisi detyrën e kryeministrit, nuk ka munguar në aktivitetet e rëndësishme të Vetëvendosjes në Tiranë, duke qënë i pranishëm virutalisht. Së fundmi ai ka marrë pjesë në një konferencë online me kandidatët e VV-së në Shqipëri me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Itali.
“Me qeverinë e re në Prishtinë e me ngritjen e Lëvizjes në Shqipëri, këto takime do të shndërrohen në praktika të zakonshme për të afruar dhe mobilizuar edhe më tej bashkëkombasit tanë jashtë vendlindjes” shkruan kryeministri Kurti në një postim në rrjetet sociale.
Por përfshirja e kreut të qeverisë së Kovovës në zgjedhjet në Shqipëri ka ngjallur një sërë diskutimesh edhe në Kosovë, me partitë opozitare që po sulmojnë Kurtin, duke i kërkuar të përqendrohet në udhëheqjen e vendit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar shefin e Qeverisë, duke thënë se “është marrë me zgjedhjet e protestat në Shqipëri, ndërkohë që në Kosovë numri i personave të infektuar dhe që po vdesin nga Covid-19 vazhdon të jetë i lartë.
Numri një i LDK-së, e ka cilësuar pjesëmarrje të Kurtit në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri si papjekuri politike. Marrja me zgjedhje e protesta në Shqipëri, nga Kryeministri, ministrat e deputetët e tij, në kohë kur nga 80 bashkëqytetarë në javë na vdesin në Prishtinë; kur të moshuarit e të rrezikuarit presin vaksinim, tregon papjekuri, tregon papërgjegjësi. Ajo i ka braktisur njerëzit e vet. Në vend të kësaj, në kulmin e krizës shëndetësore e ekonomike, pozita, e zgjedhur për të prirë këtu, ka zgjedhur të jetë opozitë protestash e fushatash në një tjetër shtet”, thotë kryetari i LDK-së.
Ndëkohë, për ish- zyrtarer e LDK-së, Melihate Tërmkolli, me pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri, Albin Kurti po sillet si Lista Serbe në Kosovë. Këto komente, Tërmkolli i ka bërë në një shkrim në Facebook, ku thotë se Kurti po legjitimon me këtë shkeljen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia.
“VV po angazhohet në zgjedhjet e Shqipërisë. Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti dhe partia e tij me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet në Shqipëri po veprojnë njësoj si Vuçici me Listën serbe në Kosovë”, shkruan ajo në një akuzë të rëndë ndaj kryeministrit.
Ndërkohë për analistin dhe gazetarin Enver Rrobelli, sorollatja e deputetëve dhe ministrave të VV-së nëpër Shqipëri për të marrë pjesë më fushatën elektorale po shkakton keqkuptime dhe tensione të panevojshme.”Gabim politik dhe gabim pandemik. Kjo sorollatje e pengon edhe bashkëpunimin institucional mes dy vendeve.
Sepse një qeveri që përzihet në punët e brendshme të një shteti tjetër, gjithsesi do ta ketë vështirë të krijojë raport mirëbesimi me një qeveri eventuale të nesërme në Tiranë, të cilën qeveria e Prishtinës synon ta dëbojë nga pushteti. Edhe përzierjet pa takt të politikanëve të Shqipërisë në punët e brendshme të Kosovës në të kaluarën kanë shkaktuar dëme, polemika e keqkuptime të panevojshme. Le të punojë secili në kopshtin e vet për të mirën e përbashkët”, shkruan ai në një reagim në rrjetet sociale.
Angazhimi i qeverisë dhe figurave të larta të Vetëvendosjes vjen ndërkohë që sondazhet që parashikojnë se asnjë nga kandidatët e kësaj partie nuk do arrijë të bëhet pjesë e parlamentit të ri.
Një sondazhi i gazetës Express dhe televizionit 7 që është realizuar nga kompania shqiptaro-izraelite, “GeoCartography” thotë se VV pritet t’i marrë 10,000 deri në 13,000 vota, apo 0.68%, duke mos marrë mandat deputeti në Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë, një sondazh i IPSOS parashikon që kandidatët VV të marrin 2.3% të votave, duke mos e kaluar pragun prej 3%.(SI)