Një tjetër atentat me armë zjarri tronditi Vlorën.
Shkëlzen Velaj, 42 vjeç u qëllua me breshëri kallashnikovi nga persona ende të paidentifikuar teksa po hynte në shtëpi. Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnate lagjen “24 Maji”, ndërsa 42-vjeçari humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.
Në atentat dyshohet se morën pjesë dy apo më shumë persona. Ata e ndoqën 42-vjeçarin teksa po lëvizte me makinë. Pasi i pikasi, Shkëlzen Velaj la makinën e tij ndezur dhe u përpoq të largohej me shpejtësi drejt banesës që ndodhej në katin e pestë të një pallati.
Ndërsa po ngjiste shkallët me nxitim ai u qëllua nga një distancë e afërt me breshëri plumbash nga agresorët, të cilët dyshohet se u larguan me shpejtësi drejt zonës së lumit të Vlorës me një makinë tip BMV pa targa. Mjeti u gjet i djegur pak pas krimit, ndërsa brenda tij u gjet dhe një armë tip kallashnikovi që dyshohet se u përdor nga autorët.
Deri më tani katër persona u shoqëruan nga policia dhe po merren në pyetje lidhur me ngjarjen, ndërsa janë sekuestruar kamerat e bizneseve rreth zonës.
Nga ana tjetër forca të shumta police, mes të cilave ato të RENEA-s kanë mbërritur në Vlorë dhe po kryejnë kontrolle të shumta.
Shkak për vrasjen dyshohet se ka qenë hakmarrja. Shkëlzen Velaj është një emër i njohur për policinë. Në vitin 2019, ai u ndalua për kultivim të lëndëve narkotike. Ai është vëllai i Ardi Velaj, i cili mbeti i vrarë në “masakrën e Çoles”. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2015 dhe që ka hapur seri vrasjesh të njëpasnjëshme.
‘Masakra e Çoles’ nisi pas një sherri mes disa të rinjve në një kazino. Konflikt ky që degradoi më pas në përdorim armëve e për pasojë mbetën të vrarë Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Si autor të masakrës policia arrestoi aso kohe Aleksandër Llanaj, Ani Begaj dhe Bertil Aliaj. Por pavarësisht se gjykata ka dhënë verdiktin e saj, saga e hakmarrjes duket se ende nuk është mbyllur.
Fqinjët e viktimes thonë se Shkelzeni, nuk ishte aspak problematik të paktën në lagje dhe pallat. Madje ata shtojnë se 42 vjecari kur kishte mundes, i kishte ndihmuar për disa investime në lagje dhe pallat, sic kishte ndohur me shtrimin e një rruge aty pranë.