
Finalizohet operacioni policor i koduar “Led”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Si rezultat i kontrollit të banesave dhe informacioneve të marra në rrugë operative, u bë e mundur që në një vilë dhe në një ambient (stallë), të gjenden dhe të sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: 186 gramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe 360 fara cannabis sativa;
dy armë zjarri tip pushkë dhe 140 fishekë luftarak;
dy aspiratorë, 15 llamba, 15 llamba me reflektor, 13 droslera, 10 reflektorë dhe dy automjete.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 32 vjeç, me banim ne Shijak, i cili posedonte këto ambiente.
Gjithashtu, nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Durrës, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi A. S., me detyrë Ndihmës Specialist i Policisë së Zonës.
Materialet kalojnë për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.