Kryeministri Edi Rama ka vijuar pasditen e sotme me konsultimin publik me nxënësit këtë herë në Shkodër.
Rama u shpreh se ardhmja e punësimit nuk mund të jetë një punë në administratën shtetërore. Gjatë një bashkëbisedimi me disa gjimnazistë në Shkodër, kreu i qeverisë vendosi theksin tek investimet në mësimin mbi teknologjinë.
Sipas Ramës, e ardhmja është përmes kompjuterit dhe teknologjisë, ku shumë të rinjtë me njohuritë e tyre mund të gjejnë punë nga shtëpia e tyre.
Që kjo të realizohet brenda kësaj dekade, Rama tha se duke filluar nga viti i ardhshëm, qeveria do të investojë në sistemin arsimor për të fuqizuar mësimdhënien e teknologjisë, sidomos për përmirësimin e infrastrukturës së laboratorëve nëpër shkolla.
“ Duam të bëjmë një investim duke filluar nga viti i ardhshëm. Për të fuqizuar sa më shpejt, të gjithë sistemin e mësimdhënies së teknologjisë dhe ti bëjmë të mundur nxënësve të hyjnë më shumë se sa vetëm një mësim mekanik. Janë dije që hapin horizonitn për të gjithë. Tregu i punës që është rreth, qoftë në Malësinë e Madhe, qoftë në Shkodër, në qytet apo fshat, ka kufizimet e veta, ndërsa tregu i teknologjisë nuk ka kufizime.
Përmes kompjuterit duke zotëruar disa dije specifike për të gjetur një hapësirë tënden, një qelize në një organizëm të madh siç është ky treg. Nuk është fantazi, por është një realitet që ekziston në Shqipëri. Ka shumë të rinj që pa lëvizur nga shtëpia, punojnë në një treg jashtë vendit, dhe paguhen shumë mirë. Për të bërë këtë, kanë disa dije ekstra. Duam të punojmë shumë në këtë drejtim në shkollë, pork jo nuk mjafton. Me programme të veçanta për mosha relativisht të reja për të marrë njohuri brenda një harku kohore jo shumë të gjatë. Janë programe ndërkombëtare dhe që ne kemi krijuar kanalet tona për t’i vendosur në funksionim. Për të kaluar të rinjtë njohuritë për gjuhën e kodimit. Përveç kësaj, është ajo që lidhet me fuqizimin e hapësirës për të bërë sipërmarrje të vogël në këtë fushë. Duhet patjetër që të ndryshojmë, këndvështrim mbi të ardhmen.
E ardhmja nuk mund të jetë punë në shtet, por është një sferë punësimi shumë e kufizuar. Përgjigja e vetme, nuk mund të jetë vetëm puna në privat. Tregu i punës në privat ka vështirësitë e veta. Është diçka e tretë që nuk është në kundërshtim me këto të dyja, është futja në botën e teknologjisë. Një person mund të gjejë një punë për vete pa lëvizur nga shtëpia. Por disa të tjerë mund të fillojnë një startup, për t’i shërbyer vetes së tyre, dhe më pas për t’i shërbyer të tjerëve. Ne kemi në rrjetin e startup-eve, ndërmarrje të vogla që punojnë për Sillicon Valley dhe kompani shumë të mëdha. Bëjnë punë kreative, dhe jo vetëm punë ‘krahu’ për kompani të ndryshme” – tha Rama.