“Droni po ju vëzhgon”, asgjësohen mbi 10 mijë bimë kanabis në Shkodër

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Policia në qarkun Shkodër vijon megaoperacionin “Territor i pastër”.

Me qëllim evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike janë zhvilluar kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut.

Në këtë fazë të megaoperacionit u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Shkodër, Komisariati i Policisë Malësi e Madhe, Komisariati i Policisë Vau i Dejës dhe 2 njësi të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër.

Për kontrollet e territorit u angazhuan 30 grupe kontrolli (gjithsej 170 punonjës policie) dhe 6 dronë të cilësisë të lartë.

Advertisement

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit, në Shkodër dhe në Malësi të Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 10 536 bimë dhe 728 fidanë cannabisi.

Konkretisht, në Dukagjin, Shalë dhe Postribë u gjetën dhe u asgjësuan 6600 bimë narkotike të mbjellura në tokë.

Në njësinë administrative Kelmend, Malësi e Madhe, u gjetën dhe u asgjësuan 3528 bimë cannabisi të mbjellura në tokë dhe 728 kubikë me fidanë narkotikë (ende të pambjellur në tokë).

Në Vaun e Dejës, u gjetën dhe u asgjësuan 408 bimë cannabisi të mbjellura në tokë.

Advertisement

Gjatë kësaj faze të megaoperacionit për asgjësimin e bimëve narkotike, grupet hetimore, gjatë këqyrjes së vendngjarjeve, kanë gjetur prova materiale dhe gjurmë që do të çojnë në identifikimin e autorëve të kultivimit dhe financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Lidhur me operacionin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

“Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike vijon çdo ditë. Shqiptarët presin një #territoripastër nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike. E përgëzoj Policinë e Shtetit e cila përmes Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtorive Vendore po kontrollon të gjithë territorin e vendit për parandalimin e këtij fenomeni. Edhe një herë përgëzime DVP Shkodër për kontrollin e 37 koordinatave dhe asgjësimin e mbi 11 mijë bimëve kanabis”, shkruan ai.

Advertisement

Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy