Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bëri të ditur se do të ndërmarrë një reformë për të rregulluar tregun e autoshkollave.
DPSHTRR bën të ditur se do të përcaktohen kriteret për rregullimin e tregut të autoshkollave, bazuar në numër popullsie për zonën e mbulimit, si dhe do të përcaktojë nivelin orientues tarifor dysheme.
“Po punojmë që brenda vitit 2022 të kemi përcaktuar nivelin orientues tarifor dysheme që do të jetë detyrues për autoshkollat në mënyrë që të garantohet një proces mësimor sa më profesional, i plotë dhe cilësor, i formalizuar dhe në nivele sa më bashkëkohore për teori e praktikë. Konsolidimi dhe mbrojtja e subjekteve korrekte, lufta ndaj konkurrencës së pandershme dhe fiktivitetit shkollor, eliminimi i evazionit dhe abuzivizmit, moskioskëzimi i tregut të autoshkollave, garantimi i rekrutimeve e pagave dinjitoze, janë thelbësore për rritjen e nivelit të përgatitjes dhe edukimit për lejedrejtimi në Shqipëri”, bëri të ditur DPSHTRR.
DPSHTRR ka ushtruar 157 kontrolle që nga fillimi i vitit në autoshkollat e vendit, duke marrë edhe 103 masa.
Sipas DPSHTRR-së, shkeljet kryesore rezultonin në tabelat jashtë standardi, mungesë kontratash me aplikantin; autorizime praktike të skaduara, regjistër teorie e praktike të paplotësuar, mjetet pa siguracion/kolaudim, etj.
“Të gjitha subjekteve i është lënë afat 5 ditë për korrigjimet, ndërsa një subjekti iu bllok ua aktiviteti 1 muaj. Në zbatim të dispozitave të reja të udhëzimit nga MIE, “Për aktivitetin e autoshkollave”, DPSHTRR ka refuzuar regjistrimin e kandidatëve për lejedrejtimi nga 8 adresa dytësore të subjekteve që operonin në kundërshtim me aktet në fuqi”, informoi DPSHTRR.
Po ashtu, një subjekt është sanksionuar me mbyllje aktiviteti sepse operonte në kundërshtim flagrant me ligjin.