Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me ecurinë e sezonit turistik dhe problematikat që po hasen.
Vlora këtë sezon është “mbytur” nga turistë. Si paraqitet ecuria e sezonit turistik sipas jush deri në këto momente?
“Mendoj që ka filluar me një ritëm shumë të kënaqshëm, përsa i përket vizitorëve këtu, kemi vizitorë të huaj pafund, vlen për t’u theksuar se mes të tjerash numri më i madh i vizitorëve vjen nga Spanja. Unë e quaj si si vlerë të shtuar për qytetin sepse presim turist nga një vend që bën turizëm vetë”, tha ai duke shtuar se gjërat po shkojnë mirë.
Po kapacitetet si janë?
“Shërbimet vit pas viti po përmirësohet dhe kjo duket ndjeshëm tek ajo që thonë të gjithë operatorët, hotelierë përgjatë gjithë bregdetit edhe në qytetin e Vlorës ka një sens të shtuar sa i përket shërbimeve ashtu sikurse edhe hotelet janë në kapacitetet e tyre akomoduese”, tha ai duke theksuar se ka vend për përmirësime. “Kapacitetet janë full”, shton ai duhe theksuar se numri i të akomoduarve është 20% më shumë se një vit më parë.
Çfarë ofron pushteti lokal për mbarëvajtjen e sezonit turistik?
“Ne jemi të bashkërenduar edhe me institucionet qendrore, marrë parasysh Policinë e Shtetit që është në funksion të plotë dhe në bashkëpunim me policinë e Vlorës, në mënyrë që të ofrojmë siguri, qetësinë aq sa mundemi”, shton ai duke theksuar se punohet për problematika të ndryshme siç është trafiku. Dredha thekson se gjithashtu në masat e ndërmarra është edhe bllokimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, të cilët nuk lejohet të qarkullojnë gjatë ditës.
Pastrimi mbetet problem për bregdetin, si po veprohet në Vlorë?
“Janë marrë masa drastike për këtë pjesë, duket se ka tanimë një angazhim të caktuar nga Bashkia e Vlorës, jo sepse unë jam në krye të bashkisë, por sepse duke filluar nga data 3 korrik ne kemi marrë vetë në dorë pastrimin e qytetit”, tha ai duke bërë me dije se tanimë për pastrimin e qytetit angazhohet vetë pushteti lokal dhe jo operatorë privat.