Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka prezantuar sot një udhëzim të ri sa i takon dosjeve të mbetura stok në Gjykatën e Lartë.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Manja tha se ky udhëzim nxirret për të lehtësuar këtë gjykatë nga disa dosje, të cilat kanë të bëjnë me rekurse kryesisht civile dhe administrative.
“Sot është miratuar një vendim në lidhje me rekurset nga gjykata e lartë. Ky udhëzim ka për qëllim rritjen e eficencës, për dosjet e ngelura stok që presin të gjykohen në Gjykatën e Lartë, Stoku i dosjeve është paraqitur problematik në këto 4 vite. Erdhi dhe u rëndua pas boshatisjes së Gjykatës së Lartë pas procesit të vettingut. Nga 19 gjykatës, me dorëheqje dhe largimet, ishte një situatë tjetër. Aty tashmë ushtrojnë funksion 13 punonjës.
Ka nisur lehtësimi i stokut të dosjeve në gjykatën e lartë. Ky udhëzim udhëzon administratën shtetërore, që të heqin dorë nga rekurset në disa çështje me natyrë civile dhe administrative, me zgjidhjen e çështjeve të punës, apo në paditë me shpërblim dëmi. Do i hiqet dorë dhe nga çështje me natyrë administrative. Vlera e disponimit të gjykatës nuk duhet të jetë më tepër se 40-fshi i pagës minimale. Me këtë udhëzim që sapo të hyjë një fuqi menjëherë, gjykata e lartë do vijojë me stoket. Nga një stok prej 35 mijë e ca, që janë sot në Gjykatën e Lartë, ne lehtësojmë këtë gjykatë nga 3800 çështje të tilla.”, tha ai.