Pas ndalimit të dhëndrit të ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, SPAK ka caktuar masën “arrest me burg” edhe për Fatmir Bekteshin, ndërtues dhe bashkëpronar i kullave në kompleksin “Partizani”.
Janë pikërisht hetimet mbi privatëzimin e kompleksit, mbi bazën e së cilave, SPAK ka caktuar masën “detyrim paraqitje” dhe ka bllokuar pasaportën e ish-kryeministrit, Sali Berisha.
Ky i fundit ka paralajmëruar një konferencë për mediat.
Socialisti Taulant Balla, nën cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar të PS ka depozituar në nëntor të vitit 2020 një padi në SPAK për privatizimin e kompleksit “Partizani”.
Të kallëzuarit janë ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë Berisha, përfshi Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks.