“Jemi kolonia e fundit në Europë, por po fillojmë të çlirohemi”. Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnjës, po shqetëson prej muajsh kancelaritë europiane, që i frikësohen një destabilizimi në Bosnje-Hercegovinë që mund të këtë një efekt shkatërrues për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Edhe pse ai vijon të thotë se “pavarësia nuk është në planet e mia, dhe konflikti i armatosur nuk është diçka që dua”, lideri serb në një intervistë të gjatë për gazetën italiane “La Repubblica” nuk nguron të shtojëse “e vërteta është që nuk ka konsensus mbi faktin që Bosnje Hercegovina duhet të ekzistojë”.
Vëmendja mbi liderin serb u shtua kur ai deklaroi se do të spostonte shërbime qendrore si Drejtësia, Financat, Agjencia e Barnave dhe disa të tjera në kompetencën e republikës Srpska, një nga tre entitetet e vendit ballkanas, dhe se ekzistonte ideja për formimin e një ushtrie serbe brenda Bosnjës.
“Republika Srpska mund ta ketë ushtrinë e saj, është e shkruar në Kushtetutë. Sidoqoftë, për çfarë duhet një ushtri me kroatë, serbë dhe myslimanë? Po të kishim një sulm nga Serbia, e them teorikisht, mendoni se ushtarët serbë do t’i mbeteshin besnikë Sarajevës? “, thotë Dodik, me fjalë që nuk japin siguri në një situatë delikate për atë vend.
Fjalë edhe më të ashpra Dodik ka për përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Bosnjë. “ Për 26 vjet ndërhyrjet e komunitetit ndërkombëtar e kanë shpartalluar Kushtetutën, Bosnja mund të mbijetojë po u rikthye në marrëveshjen e Dayton. Asnjë e mirë ka ardhur nga këto njerëz, jemi ende vendi më i pazhvilluar i Europës”, thotë ai, madje e shpall Përfaqësuesin e Lartë Christian Schmidt si jo legjitim. “E cilësoj si qytetar i thjeshtë, nuk është miratuar nga të gjithë vendet në Dayton”.