Sot 14 Marsi i ngjante tamam një Dite Vere. Tirana ishte e mbushur plot me aktivitete dhe mijëra qytetarë shijuan në maksimum eventet e organizuara nga Bashkia e Tiranës, të cilat tashmë janë një traditë e bukur në çdo Ditë Vere.
Kryebashkiaku Erion Veliaj zgjodhi të festojë sot me futbollistët e vegjël për të cilët bashkia ka rinovuar fushat sportive në mes të parkut dhe ajrit të pastër që ofron Liqeni Artificial.
“Ta gëzojmë fushën e re, me tapet bari natyral. Sot e nisëm Ditën e Verës në një fushë të re sepse duam që në bashkëpunim me trajnerët tuaj, t’ia dedikojmë këto ambiente moshave të vogla, futbollistëve U-11 që kemi sot, apo atyre që nesër do të bëhen talentet më të mëdhenj në futboll,” tha Veliaj.
Veliaj u premtoi sportistëve të vegjël se bashkia do të vijojë investimet kudo në kryeqytet, për terrene të reja sportive, për të gjithë ata që duan të angazhohen në jetë të shëndetshme.
“Iu kam premtuar të gjitha skuadrave të Tiranës – tani që kemi edhe Shoqatën e Futbollit të Tiranës – se ashtu siç kemi bërë këtë fushë, do të bëjmë të njëjtën gjë kudo ku do të gjejmë një terren të lirë, për ta kthyer në një fushë fantastike për çunat e gocat që duan të angazhohen në jetë të shëndetshme. Unë e di se jo të gjithë do bëhen si Messi apo Ronaldo, por ajo që është e rëndësishme është se të gjithë do të bëhen qytetarë të mirë. Kush luan në skuadër e di që jeta ka humbje, por humbjet nuk zgjasin përgjithmonë. Jeta ka edhe fitore, por edhe fitoret nuk zgjasin përgjithmonë. Mbi të gjitha, ky sistem sportiv që kemi në Tiranë do na japë çuna e goca, që nesër do bëhen drejtues më të mirë, arkitektë më të mirë, inxhinierë më të mirë, doktorë më të mire, edhe prej faktit se kanë qenë sportistë që në moshë të vogël dhe kanë mësuar të luajnë në skuadër, dhe të ballafaqohen me fitore, por edhe me humbje”, tha kryebashkiaku.
Ai shprehu mirënjohjen e tij për të gjithë prindërit, por edhe trajnerët që kontribuojnë që fëmijët të rriten me disiplinë sportive.
“Një nga arsyet pse jemi të gjithë këtu është sepse prindërit kanë marrë vendimin që çunin ose gocën ta fusin në sport, për një jetë të shëndetshme, por edhe të jetë pjesë e një ekipi dhe të mësojë të luajë në skuadër. E vlerësojmë shumë gjithë investimin e prindërve dhe i falënderojmë jashtë mase, por ndërkohë do u japim një duartrokitje edhe të gjithë trajnerëve që punojnë me super skuadrën e futbollit për fëmijët në Bashkinë e Tiranës, sepse ndoshta futbolli i të rriturve ka më shumë vëmendje, por në qoftë se nuk do ishte përkushtimi, jo vetëm i familjeve, por edhe i një skuadre të tërë trajnerësh, që në çdo cep të Tiranës kanë angazhuar qindra çuna e goca në ekipet rinore, ne nuk do kishim suksesin që kemi sot në Tiranë,” theksoi ai.
Ai ftoi të gjithë qytetarët që në këtë Ditë Vere të bëhen më solidarë.
“Sot është Dita e Verës. Është dita kur fillon një stinë e re, por është edhe një moment kur natyra rilind dhe unë besoj se secili prej nesh duhet të rilindë edhe vetë. Ne duhet të mendojmë nëse ka njerëz në nevojë që mund t’i japim një dorë; nëse kemi një shok në klasë që nuk ka një top ose një uniformë, që ne t’ia dhurojmë; nëse është dikush që ka nevojë për një dorë për ta ndihmuar me mësimet; nëse ka dikush nevojë, t’i themi të stërvitemi bashkë, që të bëhesh si të tjerët. Unë shoh se është një mundësi që jo vetëm natyra të çelë, por secili prej nesh të çelë pak më shumë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.
Dita e Verës në këtë 14 Mars u kthye në një festë të vërtetë ngjyrash e aktivitetesh të organizuara përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit në Tiranë, në Sheshin Skënderbej, në Parkun e Liqenit, Parkun Rinia, etj.. Ndërsa në mbyllje të kësaj dite surpriza më e bukur për më të rriturit, koncerti i këngëtarit me famë botërore Maluma do të ndezë atmosferën me një event për herë të parë të këtyre përmasave në Tiranë.