14 vatra zjarri u aktivizuan mbrëmjen e të enjtes në Parkun Kombëtar të Shebenikut në Prrenjas.
Zjarret kanë përfshirë pjesën e pyjeve të zonës së Rajcës, ndërsa dyshohet të jenë të qëllimshëm. Kjo pasi të gjitha vatrat u aktivizuan brenda një ore.
Deri më tani sipërfaqja e djegur ka shkuar në rreth 23 hektarë. Ndërkohë forcat zjarrfikëse dhe ato të zonave të mbrojtura prej orëve të vona të natës vazhdojnë betejën për neutralizimin e flakëve pavarësisht terrenit të vështirë.
Zjarret dyshohet të jenë vendosur nga persona që merren me prerjen e pyjeve në mënyrë të paligjshme, ndërsa u shpall në kërkim një 20-vjeçar nga fshati ra|Jcë Sutaj. I riu akuzohet si autor i zjarrvënies së pak ditëve më parë në fshatin Rrajcë Skënderbe ku u dogj një sipërfaqe toke me bimësi të ndryshme.
Situatë me e qetë paraqitet në Himarë, ku forcat zjarrfikëse kanë arritur të neutralizojnë flakët e rëna në përroin e vishës. Edhe këtu zjarri dyshohet të jetë vendosur nga banor të zonës me qëllim hapjen e kullotave të reja.
Beteja vazhdon dhe në Bashkinë e Mirditës ku pavarësisht intensitetit të ulët të flakëve, autoritetet e kanë të pamundur ndërhyrjen për shkak të tymit të dendur.
Ndërhyrjet të shumta nga ajri ka pasur edhe në Majën e Rrunës në Kukës, ku flakët të ndihmuara dhe nga era e fortë vazhdojnë të përhapen. Problem mbeten dhe zjarret në qarkun Shkodër dhe atë të Dibrës, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.