Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues, Muhamet Rrumbullaku ka bërë me dije se tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra pasi nuk kanë kryer veprimet e duhura ligjore, lidhur me rastin e dhunës në një kopsht privat në Tiranë.
Punonjësit e Policisë të pezulluar nga detyra janë:
1. Komisar Rustem Dervishi, me detyrë Zv/Shef i Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë;
2. Nënkomisar Ylli Çako, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve;
3. Nënkomisar Ergys Brahimaj, me detyrë Specialist në Seksionin për Hetimin e
Krimeve.
Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.
Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit në media, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023.
Njëkohësisht ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M. D., me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”.