Ish-kryeministri, Sali Berisha e ka konsideruar aktin e dhunës ndaj 3-vjeçares në kopshtin privat, si një dëshmi të degradimit të sistemit arsimore në vend. Ai ka dënuar dhunën, të cilën e quajti çnjerëzore.
“Unë jam këtu sot gjithashtu për të denoncuar me forcën më të madhe, aktin çnjerëzor ndaj vogëlushes 3-vjeçare në kopshtin privat. Ky akt, është dëshmi e plotë e kalimit jashtë çdo kontrolli, të sistemit të arsimit parashkollor për vogëlushët dhe i përhapjes së dhunës, e vërteta është jo vetëm në kopshte, por edhe në shkolla”, tha ai.
Të tilla episode, për Berishën janë pasojë e largimit të njerëzve të kualifikuar nga Shqipëria.
“I një degradimi të madh të sistemit arsimor, i largimit masiv nga ky sistem i forcave të kualifikuara dhe zëvendësimit me individë që nuk kanë asnjë kualitet për t’u besuar fëmijët dhe ndodhin ngjarje të atilla. Unë e kuptoj që qytetarëve u ka bërë përshtypje ryshfeti i policit, por unë kërkoj gjithashtu të sqaroj se vërtet polici ka shkelur kodin, ligjin dhe moralin në atë akt”, tha ai.
Situatën e krijuar, ai e ka paralelizuar me zhvillimet në partinë kundërshtare.
“Po po ta marrësh atë akt të tij dhe ta krahasosh me aktin e Edi Ramës, që vraponte nga ekrani në ekran për të mbrojtur djegësat, vjedhjen e shekullit, që ndryshonte një strategji të tërë, vetëm për të hapur rrugën për vjedhjen e shekullit, që legjitimonte praktikat antiligjore të prokurimeve, që organizonte firmosjen e 17 vendimeve në 24 orë, e pashembullt në historinë e një vendi, ajo e policit ngjet si një grimcë mikroskopike”, shtoi ai.