Zbardhen detaje të reja tronditëse në lidhje me vrasjen e dy motrave në zonën e “Astirit”, të cilat u ekzekutuan në banesën e tyre nga Përparim Ademi. Ky i fundit mësohet se kishte lidhje prej vitesh me të dyja motrat, madje dyshohet se kishte edhe fëmije me to.
Sipas autorit të ngjarjes, vrasja u krye për shkaqe xhelozie, pasi Zhaneta kishte krijuar një tjetër lidhje paralele. Ajo që pritet të ndihmojë në zbardhjen e plotë të ngjarjes është edhe dëshmia e djalit të Zhanetës, i cili ishte i pranishëm në momentin që ndodhi vrasja.
Ndërkohë Vjollca Tela, gruaja e Përparimit, me të cilin ajo ka tre fëmijë, është rrëfyer përpara hetuesve duke pranuar se ishte në dijeni të lidhjeve që bashkëshorti i saj kishte me motrat. Madje ajo ka thënë se shpesh herë shkonin në plazh së bashku.
Mësohet se ditën e Krishtlindjes, dy motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi kanë patur një debat të ashpër me Përparim Ademin. Ato i kanë kërkuar që të shkëpusin marrëdhëniet me të, por kjo nuk është pranuar nga 59-vjeçari.
Më datën 30 dhjetor, një ditë para tragjedisë, Ademi ka shkuar poshtë pallatit të Zhanetës. Pasi ajo ka zbritur për të shkuar në punë, ai e ka marrë me dhunë në makinë dhe e ka çuar në zonën e Krrabës ku e ka kërcënuar me thikë që të vazhdonin lidhjen.
Por sipas policisë dy motrat e kanë kundërshtuar vazhdimisht, çka bërë që më datën 31 dhjetor Përparim Ademi të shkojë në banesë e Zhanetës, ku dhe i ekzekutoi me 26 plumba.