Si shumë demokratë të tjerë, edhe ish-presidenti Bujar Nishani reagoi ashpër ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, që vendosi të përjashtojë nga grupi parlamentar demokrat ish-kryeministrin Sali Berisha.
Në “Facebook”, Nishani tha se Basha me sjelljen e tij po përçan partinë. Për ish-kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së, Basha vendosi pa u konsultuar me asnjë strukturë.
Ai u bëri thirrje demokratëve të mos dorëzohen dhe të luftojnë për të ringritur Partinë Demokratike.
Reagimi i plotë i Bujar Nishanit:
Lulzim Basha ka vepruar si një skuth !
Një njeri i katapultuar në krye të Partisë Demokratike, pa asnjë kontribut politik e partiak, pa asnjë sakrificë dhe eksperiencë në beteja politike, një përfitues i përhershëm pa kurrfarë meritash, vendos të përçajë në mënyrë fatale atë parti.
Lulzim Basha fyen, përçmon e injoron çdo institucion e rregull minimal në Partinë Demokratike, duke marrë një vendim ekstrem, të përjashtimit nga Partia Demokratike të themeluesit të saj pa asnjë diskutim në forumet e partisë, pa asnjë mbështetje në statutin dhe rregullat legale të partisë, pa asnjë procedurë vendimmarrëse të Kryesisë, Këshillit Kombëtar apo Kuvendit të Partisë Demokratike !
Vendimet personale, në fshehtësi, në mungesë të diskutimit midis të zgjedhurve legjitim të demokratëve, jashtë forumeve të partisë, janë karakteristika të një skuthi politik.
Ky akt është dhunim i rëndë i parimeve më fondamentale të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë !
Ky është Lulzim Basha që u katapultua politikisht me misionin e asgjësimit të Partisë Demokratike, asgjësimin e së djathtës në politikën shqiptare, asgjësimin e alternativës qeverisëse përballë së majtës, trashëgimtare e stalinistëve shqiptarë filoserbe.
Ky është sot pengu dhe argati i Edi Ramës, në krye të Partisë Demokratike !
Demokratët, shqiptarët e ndershëm, njerëzit e lirë dhe patriotë duhet të mos dorëzohen përballë këtij provokimi të rëndë për asgjësimin e fondamenteve me bazike të demokracisë.
Cilido që beson tek vlerat, parimet dhe morali, duhet të luftojë çdo ditë për ringritjen e Partisë Demokratike, për rivendosjen e parimeve dhe garancive bazë të lirisë, të së drejtës dhe demokracisë në këtë vend. Kushdo që hesht sot është bashkëfajtor në asgjesimin e asaj partie dhe vlerave të demokracisë në tërësi !