“Defender Europe 21” vijon në Kosovë. Pjesë e stërvitjeve, të udhëhequra nga Komanda në Europë dhe ajo në Afrikë e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë bërë edhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Për t’i parë nga afër këto stërvitje, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shkuan në Deve të Gjakovës.
“Me suksesin e jashtëzakonshëm të ushtarakëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ushtrisë sonë e cila është ndërtuar me shumë mund, u konfirmua sot se themelet e Kosovës qëndrojnë të forta dhe nuk ka kush që i lëkundë ato”, tha Osmani.
Ndërsa Albin Kurti u shpreh: “Me ketë gatishmëri dhe aftësi, me këtë që e dimë nga vimë dhe e dimë se ku do të shkojmë edhe do të jemi të sigurt e të mbrojtur mirë por gjithashtu edhe do të kontribuojmë në paqen e sigurinë afatgjate të kontinentit tonë e globit në përgjithësi”.
Pavarësisht se stërvitjet ushtarake zhvillohen si parapërgatitje për t’iu përgjigjur çdo lloj kërcënimi të mundshëm, drejtuesit e shtetit të Kosovës folën për paqe dhe garantimin e më shumë fondeve për FSK.
“Sot, 22 vjet pas ne bijat e bijtë e tyre të veshur me idealin e sigurimit të paqes e stabilitetit për vetën e për të tjerët i kemi lidhur qëllimet tona me përkushtimin e partneritetit tonë strategjik me ShBA-të, për të siguruar lirinë dhe për ta garantuar atë”, shtoi presidentja.
Ushtria e Kosovës që prej 17 majit, po zhvillon operacione luftarake në kuadër të “Defender Europe 21”, stërvitja më e madhe e ushtrisë amerikane që prej Luftës së Dytë Botërore. Kosova dhe Shqipëria janë mes 16 shteteve pritëse të kësaj stërvitje.