Bregu: Tregu i Përbashkët është rregull i përgjithshëm, por jo ligj i natyrës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Bregu: Tregu i Përbashkët është rregull i përgjithshëm, por jo ligj i natyrës

“Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) është një rregull i përgjithshëm e jo ligj natyre.

Për këtë arsye, nuk mund t’i aplikohet as çdo vizioni që mund të ketë për vendin e vet një qeveri apo ekonomi, as çdo lloji të mundshëm marrëdhënieje dypalëshe, qoftë kjo e mirë apo e keqe. Tregi i Përbashkët Rajonal është një plan për të arritur më shumë dhe për të pasur një rajon më të mirë në të ardhmen, prandaj ka marrë miratimin e udhëheqësve të rajonit. RCC-ja thjesht po përpiqet që të drejtojë një proces intensiv, duke u fokusuar tek përmbushja e angazhimeve për TPR-në në një kontekst delikat jo vetëm politik, por edhe ekonomik. Megjithëse janë bërë përpjekje domethënëse dhe janë arritur rezultate të qarta, ekipet vazhdojnë të hasin vështirësi në avancimin e mëtejshëm të agjendave të përcaktuara, veçanërisht në fushën e rëndësishme të lirive të lëvizjes,” u shpreh sot Majlinda Bregu, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) gjatë takimit të Ministrave të Jashtëm, pjesë e Samitit të Procesit të Berlinit.

“Bashkëpunimi rajonal nuk është i rëndësishëm, sepse e kërkon Berlini, Brukseli, Uashingtoni, Parisi, Roma, Vjena, apo partnerët e tjerë! Është i rëndësishëm, sepse atë e kanë zgjedhur vetë vendet e rajonit, në mënyrë që të marrin pjesë në një proces, i cili sjell përfitime për qytetarët e tyre, për tregtinë, për pikat kyçe të transportit, apo për të shpalosur potencialin e plotë të të katër lirive themelore dhe të tranzicionit digjital dhe atij të gjelbër. Dhe ajo që është edhe më shumë e rëndësishme, është fakti që e ardhmja nuk qëndron në marrëveshje samitesh, por tek ato gjëra që janë thelbësore për jetën e banorëve të rajonit tonë: largimi i popullsisë, arsimi, biznesi, teknologjia, vendet e punës, digjitalizimi, konjektiviteti, etj. Duke pasur këtë ide të qartë në mendje, RCC-ja punon me partnerët e vet rajonalë për ndërhyrje konkrete, si për shembull Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR), ose suksesin që u arrit për heqjen e tarifave celulare nga njeri vend tek tjetri në rajon, që do të thotë që, që prej datës 1 korrik, ne do të kemi një realitet të ri me një Ballkan Perëndimor pa kurrfarë tarife roming.”

“Megjithëse janë bërë disa përpjekje domethënëse dhe janë arritur rezultate vërtetë të qarta për zbatimin e TPR-së, ne të gjithë kemi ende shumë punë për të bërë, në veçanti për marrëveshjet e rëndësishme të lirisë së lëvizjes, e cila do të lehtësojë lëvizjen ndër-rajonale, apo procedura më të thjeshta administrative për lirinë e qarkullimit me anën e dokumenteve biometrike të identifikimit; lehtësimin e bashkërenduar të kushteve të udhëtimit për qytetarët e vendeve të treta, njohjen rajonale të kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atyre profesionale si për mjekësi, stomatologji, arkitekturë, apo shtrirja më e gjerë e Korridoreve të Gjelbra 2.0 që synon arritjen e pikave të përbashkëta të kalimit/kufitare (me një ndalesë), por edhe ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor,” shtoi Bregu në fjalën e saj.

Advertisement

77% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor mendojnë se bashkëpunimi rajonal mund të kontribuojë në një situatë më të mirë politike dhe ekonomike, dhe për më shumë siguri në rajon. Gjysma e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor janë të mendimit se marrëdhëniet në rajon janë dyfish më të mira sot krahasuar me vitin 2014, kur edhe filloi Procesi i Berlinit. Më shumë se një e treta (35%) e shohin atmosferën e përgjithshme në Ballkan shumë më pozitivisht, se sa diskurin politik të nivelit të lartë. Këto janë disa nga gjetjet e Barometrit Ballkanik, një sondazh vjetor i publikut dhe i biznesit, që do të botohet së shpejti.

Gjatë Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt vjet në Sofje, Bullgari, më 10 nëntor 2020, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor duke i besuar RCC-së drejtimin e punës për zbatimin e tij.

Ministeriali u kryesua nga Heiko Maas, Ministri Federal gjerman për Punët e Jashtme, i cili theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, duke përgëzuar RCC-në për Iniciativat që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe që sjellin rritje më të madhe ekonomike dhe sociale për Ballkanin Perëndimor gjatë procesit të integrimit europian.

Përveç Sekretares së Përgjithshme të RCC-së, znj. Majlinda Bregu, të pranishëm në takim ishin edhe Komisioneri i Komisionit Europian për Fqinjësinë e Mirë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi (DG NEAR), Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Sannino, të cilët iu drejtuan pjesëmarrësve, Ministrave te Jashtëm të të 6 ekonomive të Ballkanit Perëndimor, si edhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, të cilët folën për mënyrën se si e shohin ata bashkëpunimin rajonal dhe përparësitë që duhet të ketë rajoni gjatë procesit të integrimit europian.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy