Viti 2021 pritet të jetë më i mirë se ai që lamë pas, por ekonomia nuk do të rimëkëmbet sikur parashikon qeveria. Komuniteti i biznesit është i mendimit se edhe gjatë këtij viti për shkak të sfidës së pandemisë dhe zgjedhjeve parlamentare, sektorët e ekonomisë nuk pritet të jenë në kapacitetin e tyre të plotë.
“Edhe për këtë vit unë mendoj se sektori që do të vijojë të udhëheqë rritjen do të jetë ai agro industrial. Për disa arsye. Shumë investime me fondet e IPARD do të konkretizohen dhe pritet ë sjellin një vlerë të shtuar, njëkohësisht edhe masa e naftës pa taksa do të japë kontribut në rritje. Paralelisht edhe sektori prodhues, konkretisht ai i tekstileve do të jetë më mirë këtë vit, pasi kompanitë po ridimensionojnë veten duke ju përshtatur tregut”, thotë Alban Zusi nga Shoqata e Eksportuesve.
Ndërkohë, ky vit do të jetë vendimtar edhe për sektorin e turizmit dhe transportit. Të dy këto degë pritet që të vijojnë të kenë problem te paktën deri në 6-mujorin e parë, për aq kohë sa kufizimet me shtetet do të mbeten në fuqi.
“Unë jam i mendimit se turizmi dhe transporti do të lëngojnë edhe këtë vit. Masat kufizuese janë ende në fuqi për shkak të pandemisë. Në varësi të ecurisë së vaskinimit do të shohim se si do të zbuten këto masa, por sërish mbetet në pikëpyetje sjellja e turistëve për të udhëtuar ose jo”, thotë Arben Shkodra, Shoqata e Prodhuesve.
Paralelisht, edhe ndërtimi me nëndeget e tij këtë vit do të jetë ndër sektorët që do të vijojë rritjen për shkak edhe të procesit të rikostruksionit të banesave të dëmtuara nga tërmeti.