Zyrtarisht, nga janari i vitit 2022, biznesi i madh do të dalë në treg të lirë për të blerë vetë energjinë elektrike.
Operatori i Shpërndarjes njoftoi se tashmë sistemi është gati për të vijuar me fazën e dytë të liberalizimit të tregut të energjisë. Nga ky vendim preken 7.358 biznese.
Në tregun e liberalizuar, këto subjekte do të duhet të lidhin një kontratë 2-vjeçare me një furnizues privat. Nëse nuk arrijnë të nënshkruajnë kontratë, atëherë këtë energji do ta sigurojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, pjesë e shpërndarjes, por me çmimin e tregut.
Dalja në tregun e lirë për mijera biznese vjen në momentin më të pafavorshëm për ta, për shkak të pesëfishimit të çmimit të energjisë elektrike në bursa, që ka arritur mbi 330 euro për megavat orë.
Komuniteti i biznesit shprehet i shqetësuar për këtë fakt. Nga nesër, pritet të nisin tryeza dialogu me Ministrinë e Financave për të kuptuar sesi biznesi i madh do t’iu bëjë ballë kostove të shtuara.
Faza e parë e liberalizimit të tregut filloi në vitin 2018 kur rreth 90 biznese në tension 35 kv nisën të sigurojnë vetë energjinë elektrike.