Një bilanc i frikshëm i ngjashëm me atë të një lufte është finalizuar në dy muajt e parë të këtij viti sa i takon aksidenteve rrugore. Në Janar dhe Shkurt kanë humbur jetën 38 qytetarë, ndërsa në total janë shënuar 248 aksidente.
Thënë ndryshe, në çdo 2 ditë është shënuar 1 viktimë në rrugët e vendit.
Në janar, ben te ditur Vizion Plus, u regjistruan 130 përplasje me 24 të vdekur dhe 159 të plagosur.
Ndërsa në shkurt ndodhen 118 aksidente me 14 viktima dhe 127 të plagosur.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, rezulton një rritje e numrit të viktimave. Në dy muajt e parë të 2020, humbën jetën 28 persona, 10 më pak sesa këtë vit.
Policia rrugore duket se e ka mision të pamundur që të menaxhojë sigurinë rrugore. Shifrat flasin për një bilanc në rritje, edhe pse masat ndëshkuese janë shtuar. Duke parë rëndimin e situatës, dhe në pamundësi për të gjetur një zgjidhje, Policia Rrugore ditët e fundit nxori në terren makina dhe efektivë civilë për të gjobitur të gjithë shkelësit e normave të qarkullimit që përbëjnë rrezik potencial për aksidente.
Sipas policisë, shpejtësia tej limitit të lejuar dhe përdorimi i alkoolit janë dy nga shkaqet kryesore të aksidenteve.