Biden i shkruan Osmanit: Mbështesim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Biden i shkruan Osmanit: Mbështesim vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, e cila do të përqëndrohej në njohjen reciproke.

“SHBA-ja do të vazhdojë të mbështes përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në një letër të cilën presidenti amerikan, Joe Biden i ka dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në të cilën e uron atë për zgjedhjen në këtë pozitë.

Në letër, Biden shkruan se partneriteti mes dy vendeve është i rrënjosur në vlera të përbashkëta, duke theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Në njoftimin e zyrës së presidentes Osmani, thuhet se presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Osmanit që SHBA-ja të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit.

Advertisement

Presidenti Biden ka thënë se, “me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë”.

Presidenti Biden ka përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.

Në këtë kontekst, presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy